Shfaqja/ Përtej mistereve të ekzistencës - Gazeta Express
string(39) "shfaqja-pertej-mistereve-te-ekzistences"

Arte

Donjeta Abazi

05/04/2024 17:40

Shfaqja/ Përtej mistereve të ekzistencës

Arte

Donjeta Abazi

05/04/2024 17:40

Shfaqja autoriale dhe në regji të regjisorit Fadil Hysaj, i cili fitoi çmimin “Regjisori më i mirë” për vitin 2023, u dha mbrëmë për herë të parë në TKK. “Fausti” është bashkëprodhim me Teatrin Kombëtar të Kosovës, Teatrin e Qytetit- Gjilan dhe Teatrin “Bekim Fehmiu” – Prizren

Nga Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Në tekst trajtohet njeriu që ia shet shpirtin djallit për hir të një dashurie dhe që në fakt, përbën një betejë të vështirë të gjatë ndërmjet njeriut dhe djallit. Aty do të shikoni qartë dobësitë njerëzore dhe kurthet djallëzore dhe do të kuptoni mundimin që i japin njeriut disa dëshira djallëzore.

Na ndodh të dëgjojmë se te Fausti njeriu ia shet shpirtin djallit për të arritur dijen e përsosur, ose për të qenë i pavdekshëm, në fakt arsyeja kyçe është dashuria, Fausti ia shet shpirtin Mefistofelit për t’u kthyer në kohë, për ta bërë të mundur dashurinë e tij për Margaritën.

Në shfaqjen e Fadil Hysajt me të njëjtin titull

Miti i Fuastit ishte një përrallë gjermane të cilën Gëte e mori e sofistikoi, e mbushi, kaloi përtej pyetjeve të thjeshta në kërkim të ekzistencës dhe e botoi shumë pak kohë para së të vdiste; do të thotë Gëte u mor 40 vjet me Faustin. Te shfaqja me tekst të Fadil Hysajt ne pamë nga disa kënde njëkohësisht, edhe pjesën e luftës së djallit dhe doktorit, religjionit, mitologjisë greke, krijimit të botës dhe pjesës së parë, ‘shqiptarizimit’ të shfaqjes e cila lehtë mund të largohet, nuk përben domosdoshmëri, nuk është estetikja e pashkoqitshme dhe shfaqja do të rrinte shumë mirë edhe pa të. Në fakt pjesa e parë është komedi, shkakton të qeshura dhe ideja e Faustit është tragjedia fund e krye.

Shfaqja “Fausti” mban brenda një kastë të madhe aktorësh, me një skenë e cila me zor bëri vend në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe nganjëherë publiku sikur rrëshqet nga vëmendja e disa skenave që kur bëjnë ndarjet e akteve duken pak të lodhshme dhe të çakorduara.

Tehu i të përtejmes, kureshtja si mëkat

Shkelzen Veseli (Fausti) e trajton personazhin e tij më kujdes nga fillimi në fund, gjuha e përdorur në shfaqje vjen shumë më natyrshëm tek Veseli se sa tek secili aktor tjetër dhe kur bëhen bashkë elemente të tilla që në pamje të parë duken të parëndësishme e bëjnë aktorin të marrë meritat të cilat i ka hak. Personazhi i Faustit është kompleks, duhet të trajtohet si i tillë, një njëri që gjithë jetën ia kushton dijës, librave, kërkimit të përgjigjeve të cilat nuk janë lehtë të ditura dhe në habitatin e të cilit është parehatia. Filli i shfaqjes, i librit, i vetë idesë së Faustit mbahet tek ‘kureshtja si mëkat’, krijimi i njerëzimit fillon me mëkat, kureshtja e njerëzimit shndërrohet në mëkat dhe në fund kërkimi i të vërtetës për të pa diturën është mëkat.

Loja e Mefistofelit dhe Faustit në fund bëhet më intensive, ashtu siç duhet të jetë, ajo që turbullon esencën e zhvillimit të ngjarjeve është ideja së si njeriu gati në pikën e perfeksionimit intelektual nuk arrin ta kuptojë që lakmia shkakton humbjen. Fausti paçka që shndërrohet në një lakmitar të verbëruar, ani pse shkon deri aty sa kërkon madje edhe pavdekësinë, si mundet një mendje kaq e mprehtë të mos e stopojë egon në pikën para shkatërrimit? Prandaj shpeshherë vendoset si fusnotë fakti që Gëte e shkroi Faustin gjithë jetën e tij, madje edhe Gëte i cili me të drejtë cilësohet si njëri nga shtyllat kryesore të letërsisë, e botoi Faustin duke ngritur dyshime e me raste duke i lënë të tilla, dyshime që mëkatojnë sepse nxisin kureshtjen, ani pse jo gjithmonë kanë përgjigjen.

Dashuria mes triumfit, disfatës dhe mëkatit

Margarita personifikon, naivitetin dhe çiltërsinë në shfaqje, përfaqëson gruan në rrafshin emocional dhe fundi tragjik i saj jep rezultat frytin e emocionit i cili nuk menagjohet si duhet. Në këtë pikë, pa doemos do ta ngrejmë paralelen e tillë, racionalja e njeriut bie nga funksioni sado e perfeksionuar të jetë dhe emocioni bie nga funksioni sado i perfeksionuar të jetë, të dyja këto në momentin që individi nuk arrij t’i kontrolloj. Fausti plotëson dëshirën e tij, kthehet në kohë, dashuron Margaritën, përmbush nevojën e tij për të mos u ndjerë i vetmuar në anën tjetër Margarita nen dirigjimin e emocionit arrin lumturinë e përkohshme por i ikën shtegut të të menduarit dhe tragjedia në fundin e saj e të njerëzve rreth saj është e pashmangshme. Përtej kompleksitetit të personazheve të shfaqjes dhe lojës së tyre, ngjizja e Faustit si krijim qoftë në letërsi e qoftë në teatër, në bosht mbanë edhe një anë tjetër, të paraqitjes së burrit si mendim dhe të gruas si pasion, përllogaritjet e bashkimit të të dyjave çojnë në rezultate të pafundme.

Akti i tërbimit të priftit, Mefistofeli marshues i dijës së (pa)dobishme

Ani pse publiku mësohet nga mesi i shfaqjes deri në fund me praninë e akteve religjioze dhe riteve fetare, deri në aktin e parë kur në skenë fillon të shpërfaqet loja e aktorëve mbi fenë, nuk vërehet kryqi në ballë, i cili tek pastaj familjarizohet në sytë e audiencës. Adrian Morina (Mefistofeli) krijon skenën më tragjike dhe të kërkuar tek Fausti, me tërbimin e priftit në vdekjen e nënës së Margaritës. Kërkimi i përgjigjeve mbi të panjohurën, dëbimit të tij në ferr, përsiatjes së religjionit dhe dogmave fetare në përgjithësi, mitologjisë, madje edhe incestit në mesjetë si diçka të zakonshme e më raste edhe normale, krijon një akt skenik me plot pasion.

Gjithë tragjedia që pushton mesin dhe fundin e shfaqjes, momentin që ne kuptojmë se po flitet për ‘Faustin’ e Getës e shpjegon atë që e thamë më lartë, se pjesa e parë ishte jo e domosdoshme.

Kasti i aktorëve të Faustit ishte i madh në numër por që shfaqja u mbajt në tre katër aktorë. E megjithatë secili nga të tjerët kishte një mision, një diçka që duhej personifikuar nga ta, filluar nga të dobëtit, klounët, të pafajshmit, indiferentet.

Roli i Margaritës u bë ndër rolet më të vështira në skenë ani pse nga fillimi nuk u vërejt, ideja e krijimit të një personazhi të tillë të domosdoshëm, vjen si pasoj e paraqitjes së ekzistencës së individit në të gjitha format.

Fausti mbetet testament i krijimeve në art e letërsi që nga botimi e deri më sot, e do të vazhdoj të mbetet për shumë gjatë, mbase gjithmonë. Trajtimi i veprave të mëdha letrare duhet ushtrohet me kujdes sepse ‘Fausti’ trajton thuajse të gjitha pikat në të cilat individi përballet në botën e të gjallëve e madje ngrit dyshime për të përtejmen, duke e liruar herë pas here këtë të përtejme nga dogmat fetare që nuk arrijnë të ofrojnë shpjegime të qëndrueshme edhe më dhe mbesin të dekoruara në parimet mitologjike.

Luajnë: Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyqi, Aurita Agushi, Shpetim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha, Alban Morina.