Poshtërimi i mësuesve të Kosovës prej Albin Kurtit - Gazeta Express
string(50) "poshterimi-i-mesuesve-te-kosoves-prej-albin-kurtit"

Poshtërimi i mësuesve të Kosovës prej Albin Kurtit

OP/ED

Gazeta Express

07/10/2022 16:15

Ermal Mulosmani

Sindikatat e Arsimit të Kosovës, pas një greve një mujore, ranë dakort të ndërpresin grevën dhe të fillojnë mësimin. Megjithëse kërkesa kryesore e tyre për rritjen e pagës me 100 Euro nuk u pranua nga Qeveria.

Lexo Edhe:

Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Kosovës, më në fund u dorëzua para qëndresës së palëkundur të Kryeministrit Kurti për të dëgjuar nga ai vesh, qoftë edhe sikur ai të ikte nga pozicioni i Kryeministrit!

Menjëherë pas ndërprerjes së grevës, njerëzit e Kryeministrit dhe të partisë së tij, shpërthyen në delir triumfal. Armiku ishte shpartalluar pa kushte, ata dorëzuan armët dhe me duart lart po shkojnë me dinjitet të bërë pluhur para nxënësve. Të shkonte mendja se mësuesit e Kosovës janë ushtarët rusë të zënë rob në Ukrainë që po paguanin gjithë masakrat e kolegëve të tyre!

Ja si shprehet për këta mësues një militant injorant, entuziast i budallallëkut, shkretan i dijes, analfabet kulturor, mëndjefyell, e për më tepër, krenar për të gjitha këto cilësi:

“Nesër prej 7-ve ko mu stacionu te naj shkollë me jau pa ftyrat ka t’vijnë herët në punë

Si pishpirik i poshtër .”

Kjo mendësi e pëlqyeshme masivisht nga militantët dogmatikë, më solli ndërmend Kosovën e sapoçliruar.


Deliri që kishte mbërthyer çlirimtarët në Prishtinën e viteve 2000 ishte i kudogjendshëm. Në ceremoni kujtimore, përurime lapidarësh, këngë epike me komandantë legjendarë e përrallorë, biseda për luftën dhe heroizmin e vërtetë apo të sajuar… Çiftelia dhe sharkia dominonin tregun diskografik, zëri i rapsodëve patetikë që edhe aktronin me shuplaka mbi çifteli, lajmëronte se UÇK do të mbërrinte edhe në Beograd. Nato nuk ishte shumë e preferuar ndër tekstet e këngëve ose dilte aty si një aksesor ndihmës….

Ishte një çlirim hormonal i kuptueshëm në njëfarë mënyre, një zgjim nga një makth qindra vjeçar. Por bashkë me vendosjen e trimërisë në piedestalin që i takon, triumfuesit kërkonin edhe shpagim, njëfarë kurbani të fitores. Bashkëpunëtorët e ish-pushtuesve serbë, spiunët, pacifistët, frikacakët, disfatistët, ikanakët ishin preja e tyre e preferuar. Një frymë përçmuese, denigruese, fyese, vihej re në çdo sjellje e komandantëve. Përbuzja e komandantëve përkthehej në urrejtje deri asgjësuese në bazë.

Por ata kishin një gjë të rëndësishme kundër: Kundërshtarët ishin shumë më të shumtë në numër, beteja me ta do të ishte e humbur!

Rezultati i 2004-ës do të konfirmonte këtë fakt ulëritës.

Heroizimi dhe Trimëria ishin virtytet që “çlirimtarët” përmendnin gjithë kohën. E bash për këtë arsye, këto cilësi filluan të bezdisnin pa masë të “çliruarit”. Ishin si me thënë “virtyte armike”. Ata ishin të lodhur po aq sa çlirimtarët nga regjimi, kishin pësuar dhunën, torturën, përdhunimin e grave motrave, nënave, kishin të humbur në familje fis, të vrarë të pagjetur, sekrete të errëta e të tmerrshme që lufta prodhon….

E tani luftëtarët vinin dhe i përbuznin si frikacakë…

Përveç të tjerave, heronjtë i përkisnin në shumicë katundeve ndërsa të poshtëruarit ishin banorë të qyteteve. Ajo kohë ka qenë sendërtimi i parë i poshtërimit dhe fillimi i kulturës së urrejtjes reciproke. Të poshtëruarit e asaj kohe në një masë të madhe janë poshtëruesit e sotëm. Sepse siç thotë Kadareja te Poshtërimi në Ballkan:

“Poshtërimi e egërson viktimën duke ia shtrajtuar karakterin gjer në atë shkallë sa ta shtyjë drejt shkërbimit të xhelatit të vet”.


“Virtytet armike” të sotme tani janë pastërtia morale, antikorrupsioni, rreptësia, moskompromisi, sakrifica, kursimi. Për ilustrimin e gjithë diskursit mjafton të përmendet Albin Kurti dhe i ke thënë të gjitha!

Po a i ka Kurti këto cilësime morale që i ngre në kult? Fatkeqësisht, në një masë të madhe, po! Kur them “fatkeqësisht po”, më duhet të shpjegohem.

Tashmë jam i bindur se të gjitha cilësimet morale të mësipërme janë instrumentet e Kurtit për të shkuar drejt vesit të lavdisë personale. Siç ka ushtari pushkën, fishekët, bajonetën a ku di unë, ashtu edhe Kurti është armatosur me këto virtyte dhe ka dalë në fushën e betejës për të entuziasmuar militantët dogmatikë të tipit që përmenda më lart:

“Ai ia bën rrupsup serbëve, Ai ia mbledh Lajçakut e përdhunon Grenelin, sfidon Ramën; ai është sipërani, BABA, shenjti, Davidi që do mundi Goliatin”.

Virtytet që janë instrumente për të arritur te vesi janë fatkeqësi!

Përmes këtyre virtyteve morale ai magjeps fanatikët dhe i vërsul ata në betejën për jetë a vdekje me kundërshtarët politikë. Këtyre iu shtohet vullnetarisht edhe armata e servilëve intelektualë “të pavarur” me shpresën se do të përfitojnë nga boshllëku intelektual i Partisë dhe ofrojnë imazhin e tyre publik për makiazhin e Kurtit.

Pra, siç e thashë më lart, problem nuk janë virtytet që Albini i lartëson edhe i ka në një masë të lavdërueshme. Problemi është se ato janë mjeti për të shkuar te qëllimi që është etja për lavdi.

E këtu ka një handikap të madh.

Kosova nuk ia ofron këtë lavdi në normalitet. Prandaj ai provokon vazhdimisht situata konflikti me kë të mundet. Vetëm duke shkuar drejt konfliktit rriten shanset për protagonizëm. Këtu i ka rrënjët refuzimi i këshillave të ndërkombëtarëve, bashkëpunimi me ta, paraqitjet heremtike në bisedimet për Kosovën, xhelozia dhe mosdurimi reciprok me Ramën etj etj.

E ndër këto, një grevë e mësuesve të arsimit ai as nuk e llogarit.

Miltantët jetojnë në një gjendje jermi, si në ethe, ata asgjësojnë kundërshtarët me fishekët e “hajnisë”, “panit”, “regjimi”, “e keqja” e dhjetëra epitete bajate që i marrin të gatshme në zyrat e propagandës. Linçuesit publikë marrin udhëzimet dhe urrejtja asgjësuese shpërthen.

Kundërshtari jo vetëm duhet mundur por, ashtu të mundur, duhet ta tallësh, ta poshtërosh, ta diskreditosh.

Poshtërimi –thotë Kadareja- është paraardhës i racizmit. Pra është limiti ku mund të shkojnë urrejtja për njerëz të së njëjtës racë. Më shumë është vetëm asgjësimi.

Nuk kam parë e as dëgjuar askund për një revansh të tillë të pushtetit. Qeveria është zgjedhur për të shërbyer jo për të sfiduar qytetarët që qeveris. Një fitore e Qeverisë ndaj qytetarëve të vet është ogurzezë, nuk parasheh asgjë të mirë. Qeveria duhet të jetë më e gjerë, mirëkuptuese, dëgjuese, shpjeguese…Albin Kurti ishte gati të dorëzonte Kryeministrinë e të çonte vendin në zgjedhje por të mos dorëzohej. Sepse lavdia personale dhe stoicizmi, moskompromisi, kanë më rëndësi sesa dashuria, kompromisi.

Mësuesit mbase e kanë tepruar me kërkesat e tyre por ata nuk duhen poshtëruar kurrsesi. Ata janë në nivelin e shoqërisë ku jetojnë, as më pak e as më shumë. Madje kur vjen puna për vota ata quhen misionarë të dritës. Nuk ua kujton askush rezultatin e Pisës. As dobësitë e sistemit. Ato përmenden kur ngrenë kokë. Me fushatë të orkestruar.

Mësuesit që të nesërmen e grevës shkuan në shkollë ishin “demonët e nënshtruar” jo ëngjëjt e dritës. Nxënësit nën zë filluan të talleshin me ta, t’i përbuznin t’i përçmonin. Institucioni i mësuesit vjen menjëherë pas prindit. Si mundet ta shembni për nevoja të ditës?!

Ku dreqin ju çon kjo rrugë? Çfarë trishtimi…