Pas Ballkanit dhe Trepçës ’89, edhe Llapi i del në mbrojtje Prishtinës - Gazeta Express
string(68) "pas-ballkanit-dhe-trepces-89-edhe-llapi-i-del-ne-mbrojtje-prishtines"

Pas Ballkanit dhe Trepçës ’89, edhe Llapi i del në mbrojtje Prishtinës

Gazeta Express

08/07/2020 22:35

Llapi u është bashkuar disa klubeve të Ipko Superligës në reagimin e tyre në mbështetje për Prishtinën, e cila i akuzoi gjyqtarët për padrejtësi dhe policinë për dhunë në takim më Gjilanin të mërkurën.

Prishtina u mund 2:1 nga Gjilani në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në një ndeshje të tensionuar, një pjesë lojë të së cilës e zhvilloi me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit kontrovers të portierit Visar Bekaj, direkt me karton të kuq, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Skuadra e Armend Dallkut lëshoi pikë të rëndësishme ndaj rivalit direkt për titull, në një garë të paparë në futbollin kosovar, duke e regjistruar humbjen e parë që prej rikthimit të futbollit pas pandemisë koronavirus.

Pas ndeshjes pati tensione në fushë, me trajnerin Dallku dhe stafin e tij që shkuan për t’u kërkuar sqarime gjyqtarëve të ndeshjes, duke e detyruar policinë të ndërhyjë me sprej.

Trepça ’89, një klub që po lufton për mbijetesë në elitë dhe më i zëshmi kundër gjyqtarëve dhe Federatës së Futbollit të Kosovës këtë sezon, ishte e para që reagoi në përkrahje të Prishtinës.

Dhe pas Ballkanit, një rival tjetër direkt për titull në Superligë, ka reaguar edhe Llapi, klubi nga Podujeva që po ashtu shpesh ka dalë haptazi kundër FFK-së dhe gjyqtarëve në të kaluarën.

“E papranueshme për komunitetin sportiv në vendin tonë ngjarja e sotme në Gjilan në ndeshjen që luhej për titull, ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës. Kur Llapi për më shumë se 10 muaj ankohej për dëmtimet që i bëheshin nga gjyqtarët e kësaj Federate të uzurpuar, të gjithë qeshnin dhe thonin se Llapi vetëm po ankohet e tash?” thuhet në reagimin e Llapit.

“Jemi në përkrahje të plotë të FC Prishtinës sepse kjo që i ndodhi sot kësaj skuadre, na ka ndodhur vazhdimisht me referime të caktuara e të dirigjuara nga lartë. Kjo është Federata jonë, me të deleguarin e saj, kështu vazhdimisht po humbin investimet milionëshe të donatorëve tanë. Policinë e Kosovës e thërrasim në ndeshje për të na mbrojtur e jo për të na sulmuar!!! Jemi dhe do të jemi gjithmonë zëri kundërshtues i fenomeneve negative të futbollit tonë, sikurse tmerri i këtyre gjyqtarëve të caktuar”, thuhet tutje në reagim. /Gazeta Express/