Kush kë duhet ta bindë për njohjen e Kosovës nga Serbia? - Gazeta Express
string(55) "kush-ke-duhet-ta-binde-per-njohjen-e-kosoves-nga-serbia"

Kush kë duhet ta bindë për njohjen e Kosovës nga Serbia?

Gazeta Express

26/08/2020 15:54

Nuk kemi çka ta bindim Washingtonin, Brukselin, Berlinin, Parisin, që nuk mund të ketë Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia. Ne dhe Perëndimi duhet ta bindim Beogradin.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Si të merremi vesh ne çka duam, puna do të kryhet menjëherë.

Këtu flitet, në këtë rast, për fazën finale të dialogut të Kosovës me Serbinë, por në akëcilën temë politike, logjika është e njëjtë dhe rezultati, pak a shumë është po ai: Ngecja e plotë.

Kur bëhet fjalë për bisedimet në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, me këtë qasjen që tash e së paku pesë vjet mbizotëron në politikën kosovare, ajo mund të definohet si një autizëm politik.

Ne duam që këto bisedime të bëhen, por vetëm poqëse respektohet në plotënë skenari i jonë, apo plani i jonë.

As më pak dhe as më shumë.

Nga ky pikëshikim së paku, ne jemi krejtësisht të marrun vesh, me përjashtime shumë të rralla. Bisedimet me përfaqësuesit e Beogradit duhet të kryhen urgjentisht, me atë skenarin dhe planin tonë, i cili nënkupton që Serbia ta njeh shtetin e Kosovës  (dhe anasjelltas), që Serbia t’i paguajë të gjitha dëmet e luftës që na i ka shkaktuar në vitet 1998, 1999  (por edhe në atë decenien e plotë të okupimit), që Kosova ta merr hisen e vet në atë Procesin e sukcesionit  (të pasurisë së ish-RSFJ-së), etj.etj.

Ne mendojmë që kjo është një qasje e drejtë, historikisht dhe politikisht e justifikueshme, prandaj, jo vetëm kryefaktorët a kyeprotagonstët ndërkombëtarë, por edhe vet instancat më të larta të Serbisë, duhet ta pranojnë këtë qasje, që është poashtu, në përputhje të plotë me vullnetin tonë.

Vullneti i jonë politik është i drejtë.

Nuk ka fjalë që kjo është shumë e vërtetë. Të gjitha këto elemente kyç të një Platforme të bisedimeve, ashtu si e shohim ne këtë ndërmarrje, për ne pra, janë të arsyeshme, racionale, të kuptueshme.

Por nuk kryhen punët kurrë, dhe këtë së paku ne do të duhej ta dinim më së miri në këto anë të Evropës, vetëm përmes një vullneti të artikuluar qartë, dhe të një drejte historike dhe politike.

Asnjëherë nuk ka qenë e drejtë që Kosova, prej vitit 1912 deri në vitin 1999, ka qenë nën pushtetin e Beogradit.

Asnjëherë kjo situatë, e cila ka nisur në vjeshtën e vitit 1912 me një invazion ushtarak dhe me një okupim klasik të Serbisë, nuk ka pasë të bëjë gjë me vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës.

Vullneti dhe e drejta e jonë, morën hov dhe dolën në sipërfaqe vetëm në vitet e nëntëdhjeta  (të shekullit të kaluar), sepse në atë ballafaqimin me vullnetin dhe të drejtën e Beogradit (për ta ruajtur tërësinë e një shteti, brenda të të cilit gjindej Kosova), ne u treguam më të mençur, të gatshëm për të gjitha llojet e sakrificës, dhe mbi të gjitha, rrethanat ndërkombëtare kishin ndryshuar shumë.

Vullneti politik i një populli, i një kombi pra, është një vlerë që mund të materializohet me sendërtimin e synimeve politike, vetëm poqëse faktori ndërkombëtarë e përligj ate, i jep të drejtë, e ndihmon ate.

Midis ruajtjes së një ngrehine shtetërore, çfarë ishte RSFJ, me kurfarë gjasash për mbijetesë historike, dhe respektimit të procesit të krijimit të shteteve të reja pas shpartallimit të këtij shteti të përbashkët, Perëndimi, pas atij ngadhnjimi të madh në ’Luftën e Ftohët’, (kur Perëndimi u vu në ballë të krijimit të një Rendi të ri ndërkombëtarë), vendosi ta përkrah këtë opsionin e dytë, me të gjitha rreziqet që ai bartte në vete.

Ky përjashtim në Rendin Ndërkombëtarë  (ku gjithmonë ruajtja e tërësisë së një shteti ka pasur përparësi ndaj të drejtës për vetëvendosje, deri në shkëputje dhe në krijimin e shteteve të reja), u aplikua edhe në rastin e Kosovës.

Vullneti i shqiptarëve të Kosovës, pa kurfarë dyshimi ishte themeli i çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Por ’ndërtesa’ që u krijua sipër këtij themeli, është rezultat dhe reflektim i atij partneriteti që krahu politik dhe ushtarak i Lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, e krijoi me SHBA-të dhe me shtetet kryesore të Evropës.

Ne ’themelet’ i kemi pasë gati, që prej vitit 1912 e tutje, por ato mbeteshin të tilla, dhe thënë figurativisht, mbi to, as gjysmë metër muri nuk mund të ndërtonim.

Kosova pra, në vijim të këtij vullneti që ishte i gatshëm për një sakrificë të madhe, kur u kuptua që liria nuk ka çmim, arriti të çlirohet në vitin 1999-të, në kundërshtim të plotë me vullnetin e pushtetit të Beogradit dhe të shtetit të Serbisë, mbi të gjitha, sepse ndodhi ndërlidhja e vullnetit dhe të drejtës sonë, me ndërmarrjen ndërkombëtare të ndaljes së luftës në Kosovës dhe të imponimit të paqes, qoftë edhe me fushatën ajrore të Aleancës Veri-Atlantike.

Sa për Serbinë, Kosova kurrë nuk do të çlirohej. Kjo dihet.

Kosova poashtu arriti të bëhet shtet i pavarur, pas dy viteve të negociatave intenzive, në Procesin e Vienës  (në vitet 2006-2007), të prira nga Presidenti Ahtisaari, edhe pse sërish autoritetet më të larta të Beogradit ishin kundër këtij epilogu të paralajmëruar qysh me Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit, nč vitin 2005.

Sa për Serbinë, Kosova kurrë nuk do të bëhej shtet i pavarur. Edhe kjo dihet.

Por edhe pavarësimin, njëlloj si çlirimin, ne e arritëm duke dyzuar vullnetin dhe të drejtën tonë me partneritetin me SHBA-në, me Perëndimin dhe me një proces kredibil ndërkombëtarë të autorizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Por tash jemi në këtë fazën e bisedimeve, të cilën duam ta quajmë si kapitullin final të tyre  (me të drejtë, padyshim), kur synimi për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes Marrëveshjes gjithpërfshirëse, e cila në themelet e saja, do të duhej ta kishte njohjen reciproke në mes të dy shteteve.

Nuk kemi çka ta bindim ne fare Washingtonin, Brukselin, Berlinin, Parisin dhe kryeqendrat tjera Perëndimore, që nuk mund të ketë Marrëveshje të mirëfilltë ligjësisht obligative në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia.

Administrata amerikane e Presidentit Trump në mënyrë eksplicite, (me Letrat e Presidentit Trump dhe të Sekretarit Mike Pompeo, drejtuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vučićit), ndërsa Parisi, Berlini dhe Brukseli, në mënyrë të tërthortë, ia kanë bërë me dije Beogradit zyrtar se për çka bëhet fjalë këtu, në këtë kapitullin final të bisedimeve.

Megjithatë, teksa çlirimi i Kosovës dhe pavarësimi i saj, kanë mundur të arrihen dhe të jetësohen edhe përkundër vullnetit të njohur të Beogradit zyrtar, (në rrethanat e njohura për të gjithë ne), akti i njohjes së Kosovës nga Serbia, përmes Marrëveshjes gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, duhet të jetë akt i vullnetshëm i Beogradit.

Ky është thelbi i bisedimeve që na presin në të ardhmen e afërt, teksa është e drejtë dhe e logjikshme, siç po thonë thuaja të gjithë politikanët relevantë të Kosovës, që dialogu nuk duhet më të zvarritet dhe të devijojë nga thelbi i tij, që ka të bëjë me arritjen e Marrëveshjes për njohjen reciproke në mes të dy shteteve.