Kosova synon ta nisë me këmbë të mbarë rrugëtimin drejt Evropianit - Gazeta Express
string(66) "kosova-synon-ta-nise-me-kembe-te-mbare-rrugetimin-drejt-evropianit"

Kosova synon ta nisë me këmbë të mbarë rrugëtimin drejt Evropianit

Futboll

Gazeta Express

25/03/2023 12:08

Kombëtarja e Kosovës synon ta nisë me këmbë të mbarë rrugëtimin e saj në kualifikimet e Euro 2024.

“Dardanët” do të zbresin sonte në fushën e blertë për t’u përballur me Izraelin në stadiumin “Bloomfield” në Tel Aviv.

Lexo Edhe:

Verdhekaltrit janë të motivuar për ta nisur pozitivisht këtë eksperiencë, përkundër faktit se janë të vetëdijshëm që do të kenë punë të vështirë sonte ndaj izraelitëve.

Trupa e Alain Giresse ka zbarkuar dje në tokën izraelite, ku e ka zhvilluar një stërvitje të lehtë, ndërsa paraprakisht nga e hëna ka ushtruar në Kosovë, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri francez, në konferencën për media, ka deklaruar se ekipi i tij është përgatitur në çdo aspekt dhe ka udhëtuar me synim për të realizuar fitore.

Ai e pranoi se kjo përballje nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi izraelitët luajnë në shtëpi dhe do ta kenë përkrahjen e 30 mijë tifozëve.

“I kemi bërë përgatitjet tona maksimale dhe sigurisht që synimet i kemi për rezultat pozitiv. Jemi përgatitur në çdo aspekt për këtë ndeshje. Të gjithë lojtarët janë gati dhe ata e dinë rëndësinë e këtij ballafaqimi. Nuk kemi asnjë lojtar të lënduar dhe të gjithë janë në formë të mirë. Edhe pse objektivi ynë është kualifikimi në Euro 2024, jemi të vetëdijshëm se nuk varet gjithçka nga kjo ndeshje. Duhet të japim maksimumin në çdo duel dhe besoj se kemi gjasa të mira për ta arritur objektivin”, ka thënë Giresse.

Ai e ka shprehur shpresën se përvoja e lojtarëve të Kosovës do të ndihmojë ta arrijnë rezultatin e dëshiruar, teksa e ka vlerësuar skuadrën kundërshtare, duke thënë se rreziku nuk vjen vetëm nga top-lojtari i tyre Manor Solomon, por nga i gjithë grupi.

Giresse nuk ka dashur të flasë për gjasat e Kosovës për t’u kualifikuar, por ka thënë se synimi është që ekipi të përparojë sa më shumë nga ndeshja në ndeshje.

Optimist për rezultat pozitiv është shprehur edhe portieri Samir Ujkani.

“Ky është një cikël i ri kualifikues dhe ne kemi synimet tona për t’u kualifikuar në Evropian. Ndaj Izraelit synojmë rezultat të mirë. Jemi rritur së bashku dhe jemi gati për suksesin historik. Duam që të mbledhim sa më shumë pikë në këtë rrugëtim dhe çdo ndeshje do të jetë si finale për ne. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë në grup dhe nuk duhet nënvlerësuar. Por, ne kemi besim dhe në secilën ndeshje do të futemi për rezultat pozitiv, duke dhënë më të mirën nga vetja”, ka thënë Ujkani, shkruan “Gazeta Express”.

Edhe futbollistët tjerë “Dardanë” janë optimistë para kësaj loje, përkundër turbullirave të fundit që e goditën Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ndeshja mes Izraelit dhe Kosovës do të luhet sot duke filluar nga ora 18:00. /Gazeta Express/