Të rinjtë e gjeneratës Gen Z po i japin gjithnjë e më shumë përparësi aktivitetit fizik edhe gjatë pushimeve.
Sipas një studimi me 2,000 persona të moshës 18–29 vjeç, rreth 30% e tyre planifikojnë shpesh udhëtimet duke u bazuar te objektivat e tyre të fitnesit, ndërsa 74% e kanë bërë këtë të paktën një herë.
Madje, një në 10 të rinj pranon se prania e një palestre është më e rëndësishme për ta sesa moti i mirë. Gjithashtu, 47% thonë se rutina e ushtrimeve ndikon më shumë në planet e pushimeve krahasuar me pesë vite më parë.
Aktivitetet më të zakonshme për të qëndruar aktiv gjatë udhëtimeve janë noti (46%), ecjet e gjata (38%) dhe ushtrimet në palestër (25%).
Ekspertët vërejnë një ndryshim të qartë në mënyrën si të rinjtë e kombinojnë udhëtimin me stilin e jetesës aktive. Pushimet nuk shihen më vetëm si kohë për relaks dhe tepricë, por edhe si mundësi për të ruajtur formën, për të vendosur objektiva të rinj dhe për të përjetuar diçka ndryshe.
Arsyet kryesore pse të rinjtë kërkojnë ambiente për ushtrime gjatë pushimeve lidhen me mirëqenien mendore (33%), ndjesinë e energjisë (21%) dhe ruajtjen e rutinës (19%). Për më tepër, 44% besojnë se vrapimi në një vend të ri është një nga mënyrat më të mira për ta eksploruar atë.
Gati gjysma e tyre (45%) i japin përparësi hapësirës në valixhe për të marrë me vete pajisje sportive, ndërsa 34% zgjedhin akomodime që ofrojnë palestër. Madje, 57% janë të gatshëm të paguajnë më shumë për të pasur një hapësirë për ushtrime pranë ose brenda vendit ku qëndrojnë.
Mbi 40% e të rinjve kanë marrë pjesë në pushime të fokusuara te fitnesi, si gara sportive, evente apo retreat-e, duke shpenzuar mesatarisht rreth 335 paund në vit për këto eksperienca.
Megjithatë, këto udhëtime nuk përjashtojnë përvojat e tjera: shumë prej tyre kombinojnë aktivitetin fizik me vizita turistike, aktivitete kulturore dhe arritje personale. Në këtë mënyrë, ushtrimet janë kthyer në një element që pasuron dhe përmirëson përvojën e pushimeve. /GazetaExpress/