Fury urdhërohet nga gjykata të luftojë me Wilderin, meçi historik me Joshuan në dyshim - Gazeta Express

Sporte tjera

Gazeta Express

18/05/2021 11:45

Fury urdhërohet nga gjykata të luftojë me Wilderin, meçi historik me Joshuan në dyshim

Sporte tjera

Gazeta Express

18/05/2021 11:45

Tyson Fury është urdhëruar nga gjykata të luftojë me Deontay Wilderin për herë të tretë, prandaj meçi i shumëpritur mes tij dhe Anthony Joshuas në Arabinë Saudite është në dyshim tani.

Fury e fitoi titullon e kampionit të botës në kategorinë e rëndë në WBC, duke e mposhtur Wilderin në rimeçin e shkurtit 2020, pasi lufta e parë mes tyre kishte përfunduar në barazim, transmeton Gazeta Express.

Ata duhej të luftonin për herë të tretë por vonesat e shkaktuara nga pandemia COVID-19 e nxitën Furyn të kërkojë kundërshtar tjetër.

Por të hënën, një gjykatë në SHBA vendosi se Wilderi ka të drejtë të përballet me Furyn për herë të tretë para datës 15 shtator.

Ekipi i boksierit amerikan ka argumentuar gjatë gjithë kohës se ai ka të drejtë kontraktuale për një luftë të tretë me Furyn.

Por pasi vonesat e shkaktuara nga pandemia bënë që trilogjia e korrikut të 2020-es të shtyhej, ekipi i Wilderit kërkoi që meçi të zhvendosej në vitin 2021.

Fury e refuzoi këtë dhe tha se do kërkonte kundërshtar tjetër. Wilderi e çoi çështjen në gjykatë, e cila ia mbajti anën amerikanit dhe i dha afat Furyt deri më 15 shtator për meçin e tretë.

Vetëm 24 orë para vendimit të gjykatës, Fury e konfirmoi meçin me bashkatdhetarin e vet, Anthony Joshua.

Joshua i mban titujt në WBA, WBO dhe IBF, ndërsa Fury është kampion në WBC.

Vendimi i gjykatës nuk nënkupton patjetër se lufta mes Furyt dhe Joshuas nuk mund të ndodhë në gusht, por tani është e nevojshme të caktohet datë e re për të, në mënyrë që lufta të zhvillohet.

Kjo nënkupton se Wilderit mund t’i ofrohet një shumë e majme parash për ta lejuar zhvillimin e luftës Fury-Joshua.

Raportohet se autoritetet saudite janë të gatshëm t’i ofrojnë rreth 106 milionë funte për zhvillimin e kësaj lufte.

Nëse ndodh, atëherë në këtë luftë për herë të parë në historinë e boksit në lojë do të jenë të gjithë katër titujt e kategorisë së rëndë. /Gazeta Express/