Ka një garë vetëm për djem, ka një vetëm për vajza, por është një tjetër ku vrapojnë së bashku.
E tillë stafeta e përzier 4×100 metra në atletikë, e cila në vetëm dy ditë pati dy rekorde të reja botërore.
Një nga superfuqtë e atletikës në konkurrimet e shpejtësisë, Xhamajka, u kthye aty ku I takon duke triumfuar në pistën e qytetit Gaborone, kryeqytet I Botsvanës në Afrikë.
Katërshja xhamajkane dha fillimisht kohën 39”99, dhe përmirësoi veten ndjeshëm duke fituar sërish me rezultatin 39”62.
Rekordin e mëparshëm botëror e mbante Kanadaja me 40”30.
Skuadra e Xhamajkës ishte e përbërë nga Akim Blejk, Tina Klejton, Kadrian Goldson dhe Tia Klejton.
Motrat binjake Klejton duken mbretëreshat e ardhshme të sprintit duke qenë vetëm nga 21 vjeç.
Në garën e zhvilluar në Botsvana, pas ekipit nga Karaibet mbërriti Kanadaja, shkruan abcnews, ish-rekordmenia e botës me kohën 40”23 duke përmirësuar edhe ajo rekordin e saj të mëparshëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës plotësuan podiumin duke zënë vendin e tretë e duke marrë medaljet e bronzit me rezultatin 40”33.
Një garë tepër e shpejtë, dhe kjo do të thotë se ky rekord mund të mos rezistojë gjatë.
Xhamajkanët duket se po kthehen në epokën e artë të Mbretit të shpejtësisë në atletikë, Usain Boltit.