Fqinjët që nuk kanë qenë kurrë të tillë - Gazeta Express
string(39) "fqinjet-qe-nuk-kane-qene-kurre-te-tille"

Arte

Gazeta Express

08/06/2022 13:39

Fqinjët që nuk kanë qenë kurrë të tillë

Arte

Gazeta Express

08/06/2022 13:39

Alhierd Bacharevič është shkrimtar bjellorus. Bashkë me grua e tij po ashtu shkrimtare, aktualisht janë në ekzil në Graz të Austrisë. Librat e Basharevicit përndryshe janë të ndaluar në vendin e tij

Alhierd Bacharevič

Lexo Edhe:

Nuk ka radhë në kufirin bjelloruso-shqiptar. Vetëm një zog fluturon pa viza tranzite, ose kalojnë retë joligjërisht në anën tjetër. Një roje e vetme lufton me mërzinë duke pirë duhan e duke lodruar me një telefon të markës së fundit. Lepujt lozin në tokën e njeriut. Një oficer dogane po bën gjumë mbi bar dhe askush nuk kërkon bakshish. Sepse çfarë mund t’u kërkoni ju reve dhe zogjve, pot ë mos jeni Françesku i Asizit?

Shqipëria është një vend i mirë. Ne, bjellorusët, nuk kemi nevojë të bashkohemi me të ose të ndahemi nga ky vend. Nuk kemi nevojë të ulemi me shqiptarët në tryezë e të lozim lojëra gjeopolitike letrash me shenjë në orët e urinimit. Nuk kemi arsye të luftojmë kundër shtetit dhe kjo vetëm, është një lumturi në vetvete.

A kemi ne gjera të përbashkëta me shqiptarët[U1] ?  Ҫfarë pune kanë ata me ne? Ne thithim të njëjtin ajër, kaq. Por jo vetëm kaq.

Epo mirë, së pari, në Połack – ose në Połack-un e ri, ndonëse njerëzit i ngatërrojnë të dyja, sikurse ndodh me Yorkun dhe New Yorkun,Vinceś Mudroŭ jeton dhe shkruan. Në rininë e tij, jashtë vullnetit së vet, shkrimtari e mësoi shqipen, mbase si bjellorusi i parë ndonjëherë, dhe për siguri si folësi i parë i bjellorushtes. Ai vesh një këmishtë T me figurën e shqiponjës dhe e respekton Ismail Kadarenë (theksi bie në zanoren e fundit të mbiemrit). Edhe unë i respektoj që të dy ata.

Kujtoj që, jo shumë kohë më pare, u bë një ndeshje futbolli. Ndonëse kujtesa ime është e dobët, mendoj se kjo ndodhi në Minsk dhe pikët ishin 2:0 për mikpritësit, por atëhere ata na rrahën në Tiranë, duke marrë një gol më shumë se ne. Bjellorusia dhe Shqipëria do të gjenden shpesh të përzgjedhura në të njëjtin grup, duke përfaqësuar të dyja të njëjtin nivel futbolli.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe në letërsi. Një herë, gjatë diskutimit të çështjes së njohjes ndërkombëtare të letërsisë bjelloruse, autori i ligjëratës përmendi shqiptarët, duke i konsideruar ata si shembulli më i mirë për krahasim. Për të arritur qëllimin, do qe e këshillueshme për letërsinë bjelloruse, së pari, të kapërcejë kompleksin vetiak të madhështisë. Të pranojë që rëndësia e romaneve dhe poemave tona të mëdha dhe padyshim të bukura janë baras në ndihmesën në letërsinë botërore, duke kuptuar që ndihmesa jonë është baras me ta. Por sa shumë njerëz dinë për letërsinë tonë dhe për palën shqiptare? Pothuaj asnjë.

E njëjta gjë  është e vërtetë si për arritjet klasike ashtu edhe ato bashkëkohore, Kjo është pikënisja nga duhet të ecim, në vend që të shkojmë drejt shtrëmbërimeve duke kërkuar të themi se letërsia bjelloruse është e madhe dhe e fuqishme.  Prandaj Artur Klinaŭ theksonte që, sipas tij, shiptarët janë larg përballë nesh dhe në këtë mënyrë  ai shtonte një fatalizëm mirëqenie në diskutim.

Në mënyrë ta pashmangëshme, rikujtoj burrneshat e pabesueshme, gratë shqiptare nga familje pa meshkuj punëtorë, që janë shndërruar që në fëmijëri në burra dhe janë të detyruara ta lozin këtë rol deri në fund të jetës së vet. Kanuni thotë kështu, ligji zakonor.  Një vend i çuditshëm kjo Shqipëria.

Ҫfarë kam gjë tjetër nga përvoja ime?

Një Histori të Shqipërisë që e shkarkova nga internet dhe e lexova nga fillimi në fund, vetëm se m’i bëri të gjitha të fshehtat shqiptare më të mistershme.

Një mik bjellorus harton tekste në facebook në shqip- dhe sa çudi është kjo që dëgjoj: ai i shfaq të gjitha shkathtësitë e veta duke u përpjekur të nxjerrë kuptimin e tyre pa përkthyesin e google-it; por rezultati është afërsisht zero, gjuha shqipe nuk është nga ato që mund të kapet lehtë.

Në Hamburg më qëlloi të jetoja pranë një restoranti shqiptar: nga mëngjesi deri në mbrëmje po ata burra të zeshkët me veturat e tyre të zeshkëta vinin e pinin pa fund një kafe të zeshkët dhe bënin bisedat e tyre të fshehta. Cilët qenë ata? Mafia shqiptare? Intelektualë shqiptarë? Ka një ndryshim të vogël ndërmjet këtyre, madje edhe në Bjellorusi.

Po tjetër? Natyrisht, diktatura, klaniciteti, ‘Enver, jemi gati kurdoherë’. Nuk ka ambasadë shiptare në Minks. Vetëm këta kosovarët janë për ne, që janë vendosë në Serbi dhe pranë qytetit perëndimor bjellorus të Ivacevičy (pikërisht lagjia e e Kosavës (https://en.wikipedia.org/wiki/Kosava,_Belarus.).

Po përse  ne duhet të dimë diçka për ta? Domethënë si janë gjerat, sepse bota është e madhe. E po mire, gjithashtu më interesantja në këtë botë është kjo, që as nuk sjell ndonjë përfitim, as nuk na sjell cilindo dreq.

Në kufirin ndërmjet Ruthenia Alba (Bjellorusia në latinisht) dhe Shqipërisë, zona kufitare është e zbrazët.  Vetëm era gumëzhin nëpër tela. Mirë, po të mos kujtojmë këtu Norbert Joklin. Kam lexuar për të në një revistë gjermane. Norbert Jokl nuk ka pasur as edhe një pikë gjaku shqiptar, apo bjellorus. Ai ka lindur në Moravinë Jugore në fund të shekullit XIX dhe kishte prejardhje austriake, mbase gjermane dhe ishte hebre për nga feja. Nje subjekt normal i monarkisë më të munguar të botës.

Në fillim të shekullit XX, ai u diplomua në Departamentin e Drejtësisë në Universitetin e Vienës, që të bëhej avokat; një karrierë normale juristi që nuk lyp yje nga qielli, një karrierë që tashmë ndriçoi errësirën e biografisë së tij të ardhëshme me zjarre të mëdhenj, të përcaktuar ngushtësisht, por..

Në një qoshe të Vienës, djalli i fiksimit e qëlloi doktorin  e drejtësisë dhe e kapi atë pas një brinje. Jokl befas vendosi t’i thotë lamtumirë punësimit të respektuar. Ai e kujtoi këtë moment kur vendosi t’ja përkushtojë veten gjuhëve të huaja duke absolutizuar shprehjen arkaike Valet zu sagen (një lloj lamtumire). Ai nisi të studiojë sërish: indogjermanisht, romanisht dhe sllavisht. Dhe kur ai mbushi tridhjetë vjeç e mësoi shqipen, vetë, përjashtimisht me libra dhe shumë shpejt u bë albanologu më i njohur austriake dhe një nga specialistët më të respektuar të fushës.

Sikur bënte shaka, me kohë djalli i studimeve shqipe i priu Joklit në buzë të greminës dhe i tregoi atij që kufijtë ndërmjet disiplinave, ashtu sikurse kufijtë ndërmjet shteteve jo gjithnjë shtrihen aty ku ata mendojnë se janë.

Në vitet 1930, një tjetër albanolog i njohur, Baron Nopsca u qëllua për vdekje në zyrën e vet. Pranë ishte edhe kufoma e sekretarit të tij, së bashku me një shënim vetëvrasje. Hetimet qartësuan që studiuesi Baron e vrau sekretarin e vet për shkak të xhelozisë ose për shkak borxhesh. Në dëshirën e fundit të burrit të vdekur Nopcs i linte trashëgim tërë arkivin e vet dhe dorëshkrimet pikërisht Joklit!

Në këtë mënyrë, një thesar i vërtetë ran ë duart e profesorit (Jokli pat marrë një titull akademik dhjetë vite më parë).

Vetëm që kohërat nuk qenë vërtet të favorëshme për të. Pas Anschluss-it të Austrisë, Jokli nuk mund të punonte në universitet. Më 1937, për herë të pare, ai e vizitoi Shqipërinë, ku mori dekoratë për shërbimet e tij ndaj atij vendi. Më vonë, miqtë e tij u përpoqën ta dërgojnë Joklin në Shqipëri, tashmë nën pushtimin Italian, kështu do t’i shpëtonte vdekjes prej gjermanëve. Por Jokli nuk diti të siguronte një vend pune si bibliotekar në Tiranë, për të cilën ëndërronte. Ai e pranoi fatin dhe jetoi në apartamentin e tij vienez, duke pritur ndonjë mrekulli ose arrestimin. Ҫdo gjë kishte për të qenë më mirë se kjo ekzistencë e nallkuar në kufijtë ndërmjet jetës dhe vdekjes.

‘Unë u rrita si gjerman dhe besova në Zot si hebre’, përsëriste Jokli dhe nuk qe gati ta mohonte asnjerën prej tyre.

Në Austrinë naziste të hareshme e mëparëshmja nuk kishte interes për kërkënd, por kjo e dyta të shpinte në vetëvrasje. Në mars 1942 erdhën te albanologu. ‘E keni thirrur Gestapon?’ bëri shaka një nga vizitorët, ndërsa tjetri i hodhi një vështrim apartamentit rreth e rrotull dhe tërhoqi perdet. i zoti i shtëpisë qendroi i heshtur, ai e kish shkruar një testament shumë kohë më parë, me anë të cilit e linte tërë arkivin e vet, po ashtu edhe atë të Nopcs, Shqipërisë.

E morën Joklin dhe e shpunë në Castellezgasse, ose në vendgrumbullimin e hebrenjëve. Një ditë ai u zgjua dhe marshoi drejt stacionit të trenit. Treni nisej për diku në Lindje.

Një dëshmi thotë së Jokli tërë rrudha vdiq kur ishte ende në Vienë. Të tjera thonë se ai është parë të vdesë në një vagon treni, thesht i shtrirë në dysheme. Por shumica mendojnë së vendi i vdekjes ishte Minsku. Më saktësisht, Mały Traścianiec pranë Minskut (Gjermanët me kokëfortësi e shqiptonin si (‘Malyj Trostinez’), ku Jokli, më shumë gjasë, u shfaq në maj të atij viti fatkeq dhe u vra, bashkë me shumë burra e gra të tjera, banorë të Vienës dhe Hamburgut, albanologë dhe komunistë, intelektualë deh mafiozë, të pasur dhe të varfër pa përjashtim.

I njëjti Mały Traścianiec është afër Šabany (lagje e qytetit të shkrimtarit në kryeqytetin bjellorus). Në kufirin e vërtetë bjelloruso-shqiptar. Nga ky vend, ju mund të shihni si Bjellorusinë ashtu edhe Shqipërinë dhe në mëngjes, në se mjegulla qartësohet, ju mund të shihte krejt Europën, tërë botën e madhe; dhe nga një herë zogjtë, retë, trenat dhe rrallë- njërëzit që e kalojnë kufirin.

/(burimi: ‘Суседзі, якіх не было Susiedzi, jakich nie było’ [pp 68-72]. Në: Альгерд Бахарэвіч Alhierd Bacharevič. 2014. Ніякай літасьці Альгерду Б. Nijakaj litaści Alhierdu B. Мінск Minsk: Галіяфы Halijafy. ISBN 9789857021512)

/Përkthyer në anglisht nga bjellorusishtja nga Tomasz Kamusella;

/Përktheu në shqip Bardhyl Selimi


 [U1]