Sot është mbajtur konferenca për shtyp e shfaqjes së parë “Muhammad Ali, the one and only” nga Bosnje e Hercegovina, që do të hap edicionin e sivjetmë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” – PITF 2024.
Në konferencë morën pjesë: drejtoresha artistike e festivalit Doruntina Alshiqi, koordinatorja e festivalit Valentina Cenaj, regjisori i shfaqjes Dino Mustafić, aktorët Vedrana Božinović, Ermin Sijamija dhe Dino Bajrović.
Alshiqi, iu uroi mirëseardhje ekipit nga Bosnje e Hercegovina, duke shtuar se përmes këtij festivali edhe në edicionin e tetë tentohet që ekipet teatrale nga shumë vende të botës të sjellin në Kosovë shfaqjet e tyre më të mira.
Regjisori i shfaqjes “Muhammad Ali, the one and only “ Dino Mustafić, u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen në festival. Ai në emër të Teatrit Kombëtar të Sarajevës, përshëndeti të pranishmit ndërsa shtoi se shfaqja duhet të mbetet suprizë, por e rëndësishme është që përmbajtja e saj flet për lidhjen mes babait dhe fëmijës, familjes dhe dashurisë.
Aktorët Vedrana Božinović, Ermin Sijamija dhe Dino Bajrović folën për pjesët e tyre në këtë shfaqje, duke thënë se presin që publiku ta shijoj shfaqjen, kurse sa i përket çmimit u shprehën se do të ishte i mirëpritur.
Shfaqja “Muhammad Ali, the one and only” do të luhet sonte në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, nga ora 20:00.