Enver Hasani për vendimin e Vjosa Osmanit: Është shkelje kushtetuese, u përdor edhe gjuhë joprofesionale - Gazeta Express
string(102) "enver-hasani-per-vendimin-e-vjosa-osmanit-eshte-shkelje-kushtetuese-u-perdor-edhe-gjuhe-joprofesionale"

Enver Hasani për vendimin e Vjosa Osmanit: Është shkelje kushtetuese, u përdor edhe gjuhë joprofesionale

Lajme

Gazeta Express

14/06/2021 20:58

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Hasani në Pressing të T7 ka thënë se ky vendim ishte shkelje e Kushtetutës, duke theksuar se gjithashtu në tekstin e vendimit është përdorur gjuhë joprofesionale.

Lexo Edhe:

“Që ta kemi të qartë, asnjë kompetencë e presidentit të Kosovës dhe presidentëve të vendeve që kanë sistem të ngjashëm me ne, nuk kanë kompetencë ekzekutive, të gjitha janë zingjirore. Kushtetuta e thotë shumë mirë se presidenti ka të drejtë vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ-së, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, tha Hasani.

Tutje ai tha se presidentja e Kosovës dhe çdo president që i takon një demokracie kushtetuese parlamentare, nuk ka vendimmarrje autonome.

“Vendimi është joprofesional, përdor gjuhë joprofesionale. Nuk mundet me qenë institucion i gjetjes së fakteve. Gjithçka është zingjirore asgjë nuk është autonome”, tha ai.

Presidentja Vjosa Osmani e ka finalizuar sot synimin e saj për ta shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakës. Paraprakisht, Osmani ka provuar që ta shtyjë Dakën të japë dorëheqje, në këmbim të një mirënjohjeje nga Presidenca.

Në arsyetimin për shkarkimin e Dakës, përmendet se sipas presidentes, kryetarja e KQZ-së nuk ka arritur t’i nënshtrohet parimit të paanshmërisë.

Tutje, thuhet se kryetarja e KQZ-ja e kishte shkelur ligjin në disa raste, ndërsa organi që merret me organizimin e zgjedhjeve akuzohet se është përballur me probleme të vazhdueshme për organizimin e zgjedhjeve.

Kryetarja e KQZ-së akuzohet në arsyetimin e vendimit edhe se ka përdorur strategji diskriminuese ndaj një grupi qytetarësh.

Pas shkarkimit të Valdete Dakës, presidentja Osmani ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./Express/