De Bruyne konteston rekordin e Brunos - Gazeta Express
string(37) "de-bruyne-konteston-rekordin-e-brunos"

Futboll

Gazeta Express

25/05/2026 12:59

De Bruyne konteston rekordin e Brunos

Futboll

Gazeta Express

25/05/2026 12:59

Kevin De Bruyne beson se Premier League ia mohoi gabimisht një asist, rekord që tani mbahet nga Bruno Fernandes.

Mesfushori portugez regjistroi asistimin e 21-të të sezonit në Premier League gjatë fitores 3-0 të Manchester United ndaj Brightonit, duke asistuar për golin e Patrick Dorgut. Më pas, ai shënoi edhe golin e nëntë të kampionatit, për ta vulosur fitoren në javën e fundit.

Fernandes u shpall lojtari më i mirë i sezonit në Premier League, duke u bërë futbollisti i parë i Unitedit që e fiton këtë çmim që nga Nemanja Vidic në vitin 2011.

Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm për 31-vjeçarin, i cili luajti rol vendimtar në përfundimin e Unitedit në vendin e tretë dhe rikthimin në Ligën e Kampionëve nën drejtimin e Michael Carrick. Ky i fundit nënshkroi kontratë dyvjeçare si trajner i përhershëm, pasi fillimisht kishte zëvendësuar Ruben Amorimin në janar.

Megjithatë, sipas De Bruynes, Fernandes nuk duhet të jetë i vetmi mbajtës i rekordit të asistimeve.

Belgu regjistroi 20 asistime në sezonin 2019/20, duke barazuar rekordin e Thierry Henryt. Por ai pretendon se duhet t’i ishte dhënë edhe një asist tjetër në ndeshjen ndaj Arsenalit, e para pas rikthimit të Premier League pas ndërprerjes për shkak të pandemisë.

Në atë takim, Manchester City fitoi 3-0 ndaj Arsenalit në “Etihad”. De Bruyne shënoi nga penalltia, por më vonë tha se duhej t’i ishte njohur asistimi për golin e parë të Raheem Sterlingut.

Pasimi i tij i gjatë preku gjurin e David Luizit përpara se topi të shkonte te Sterling, i cili shënoi nga afërsia. Premier League nuk ia regjistroi asistimin De Bruynes për shkak të devijimit nga mbrojtësi brazilian.

“Ata ma hoqën një asist kundër Arsenalit. Ma hoqën, dhe kur festuan asistimin tim të 100-të, e vendosën pikërisht atë aksion si klipin e parë në video. A mund ta imagjinoni sa gabim ishin?”, kishte thënë De Bruyne.

Ai ishte ankuar publikisht edhe gjatë sezonit 2019/20, duke thënë se ende nuk e kuptonte pse nuk iu njoh ai asist.

Premier League më pas ia hoqi edhe një asist tjetër nga statistikat e atij sezoni, rastësisht sërish ndaj Arsenalit, por këtë herë në ndeshjen si mysafir. Kur llogaria zyrtare e Premier League publikoi se De Bruyne kishte 16 asistime deri në atë moment, ai u përgjigj thjesht: “18”. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement