Ditët me temperatura të larta mund ta lodhin shumë trupin, ndaj njohja e shenjave të dehidratimit është thelbësore.
Ekspertët paralajmërojnë se shumë njerëz nuk i dallojnë simptomat e para. Dr. James Morehen, nutricionist sportiv dhe ekspert i hidratimit, thotë se etja është në fakt një sinjal i vonshëm.
“Sapo ndiheni të etur, trupi tashmë ka nisur të përjetojë efektet e para të dehidratimit. Prandaj është e rëndësishme të pini lëngje rregullisht gjatë ditës, jo të prisni derisa trupi t’ju kujtojë”, shpjegon ai.
Një tjetër shenjë e hershme janë dhimbjet e lehta të kokës dhe mjegullimi mendor. Sipas Dr. Morehen, këto simptoma shpesh ngatërrohen me lodhjen ose qëndrimin e gjatë para ekranit, por gjatë vapës mund të tregojnë se trupi ka nevojë për më shumë lëngje.
Dehidratimi mund të shkaktojë edhe dëshirë për ushqime të ëmbla ose të kripura. Kur nivelet e lëngjeve bien, trupi lodhet dhe këtë lodhje mund ta interpretojë gabimisht si uri.

Një shenjë tjetër që shpesh neglizhohet është era e keqe e gojës. Kur nuk pini mjaftueshëm ujë, trupi prodhon më pak pështymë, e cila ndihmon në largimin e baktereve nga goja. Grumbullimi i baktereve mund të shkaktojë aromë të pakëndshme.
Për të qëndruar të hidratuar, Dr. Morehen këshillon të rishikoni edhe kafen e mëngjesit. Kafeina ka efekt të lehtë diuretik, ndaj në ditët shumë të nxehta mund të jetë më mirë të zëvendësohet me një pije elektrolitike me pak sheqer.
Ai rekomandon gjithashtu të pini rreth tre deri në katër gota të mëdha ujë para se vapa të arrijë kulmin në mesditë. Një gotë ujë në mëngjes dhe një tjetër para gjumit mund të ndihmojë në rikuperimin e lëngjeve të humbura nga djersitja gjatë natës.
Megjithatë, në disa raste vetëm uji nuk mjafton. Djersitja largon edhe elektrolitet, të cilat duhen zëvendësuar për të shmangur lodhjen dhe për të ruajtur hidratimin e duhur. /GazetaExpress/