Fytyra e David Rayas ndryshoi përgjithmonë pas një lëndimi të rëndë që portieri i Arsenalit pësoi gjatë kohës kur luante për Blackburn Rovers.
Portieri spanjoll po përjeton momentet më të mëdha të karrierës. Këtë sezon ai u shpall kampion i Premier League me Arsenalin dhe ka mundësinë të fitojë për herë të parë Ligën e Kampionëve, në finalen ndaj Paris Saint-Germain në Budapest.
Raya ishte gjithashtu ndër kandidatët për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në Premier League, ndonëse çmimi shkoi për Bruno Fernandesin e Manchester Unitedit. Suksesi i Arsenalit është ndërtuar mbi një mbrojtje shumë të fortë, ku Raya, Gabriel Magalhaes, William Saliba dhe Declan Rice kanë qenë ndër figurat kryesore.

Për Rayan, ky është kulmi i një rruge që nisi kur ai mori vendimin e madh për t’u larguar nga Spanja në moshën 16-vjeçare dhe për të vazhduar karrierën në Angli. Në vitin 2012 ai iu bashkua Blackburn Roversit me një marrëveshje bursash, në kohën kur klubi sapo kishte rënë nga Premier League.
Një huazim katërmujor te Southport i dha përvojën e parë në futbollin profesionist, përvojë që më vonë do të rezultonte vendimtare kur Tony Mowbray e bëri portierin e parë të Blackburnit në vitin 2017. Në vitin 2019, spanjolli kaloi te Brentfordi, ku qëndroi katër vite dhe ndihmoi klubin të ngjitej në Premier League, përpara transferimit te Arsenali.
Lëndimi më i rëndë i karrierës së tij ndodhi në sezonin e fundit me Blackburnin, gjatë barazimit 1-1 ndaj West Bromwich Albionit në “The Hawthorns”. Raya u përplas frikshëm me sulmuesin Jay Rodriguez, i cili aksidentalisht e goditi në fytyrë me pjesën e sipërme të këpucës.
Trajneri i atëhershëm i Blackburnit, Tony Mowbray, tha se kocka në pjesën e sipërme të hundës së Rayas ishte shtyrë pothuajse drejt kafkës dhe se bashkëlojtarët e tij mezi mund ta shikonin dëmtimin.

Raya kishte nevojë për oksigjen dhe, pasi Blackburni i kishte kryer të gjitha zëvendësimet, në portë u detyrua të vendosej mesfushori Richard Smallwood. Pas transportimit në spital, portieri u diagnostikua me hundë të thyer dhe mori disa qepje në fytyrë.
Megjithatë, ai mungoi vetëm dy javë. Pas rikthimit në “Ewood Park”, Raya luajti me maskë mbrojtëse mbi hundë. Në fund të sezonit, ai vendosi t’i nënshtrohej një operacioni për rindërtimin e hundës.
Duke kujtuar momentin e përplasjes, Raya pranoi se në fillim mendoi se fytyra i ishte thyer plotësisht.
“Ndjeva një krisje të madhe në fytyrë dhe mendova se do të më duhej menjëherë operacion. Ndjeja se hunda dhe koka ime nuk ishin në rregull. Megjithatë, kjo nuk më pengon të marr frymë apo diçka të tillë”, tha ai.
Pavarësisht traumës, Raya theksoi se lëndimi nuk do ta ndryshonte mënyrën e tij të lojës. Sipas tij, incidente të tilla mund t’i ndodhin kujtdo në futboll, edhe një mbrojtësi gjatë një dueli me kokë. /GazetaExpress/