Mikel Arteta ka sfiduar lojtarët e Arsenalit që ta shkruajnë emrin në histori, duke kompletuar një dopietë të madhe pas triumfit në Premier League.
“Topçinjtë” ngritën trofeun e Premier League pas fitores 2-1 ndaj Crystal Palace në “Selhurst Park”, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Festa ishte e madhe, por Arteta tashmë e ka mendjen te finalja e Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germain në Budapest.
Trajneri spanjoll beson se skuadra e tij po shkon drejt finales me energji të jashtëzakonshme dhe me një vrull që nuk duhet ndërprerë.

“Duhet ta lejojmë këtë energji të rrjedhë. Të shkojmë kundër saj do të ishte gabim i madh. Kemi folur tashmë për atë që duhet të bëjmë në Budapest dhe si do ta përdorim gjithë këtë energji të jashtëzakonshme që po mbajmë me vete drejt finales”, tha Arteta.
Për Arsenalin, titulli në Premier League është një arritje e madhe, sidomos pas tri sezoneve radhazi si nënkampion. Megjithatë, Liga e Kampionëve mbetet trofeu që klubi londinez nuk e ka fituar kurrë.
“Mezi presim të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e klubit tonë dhe ta ngremë Ligën e Kampionëve”, shtoi Arteta.
Spanjolli, i cili fitoi FA Cup në sezonin e tij të parë si trajner i Arsenalit në vitin 2020, beson se statusi i kampionit do t’i japë skuadrës më shumë besim para finales.

“U thashë djemve se kjo fanellë tani përfaqëson diçka tjetër. Ne jemi kampionë dhe kjo sjell më shumë besim, prani dhe energji. Por sjell edhe një përgjegjësi tjetër. Detyra jonë tani është t’i ngremë standardet dhe të arrijmë edhe më shumë, sepse mendoj se jemi të aftë ta bëjmë”, deklaroi ai.
Për Artetën, triumfi në kampionat solli edhe një ndjenjë çlirimi pas zhgënjimeve të viteve të kaluara, kur Arsenali kishte qenë shumë pranë suksesit, por kishte dështuar në fund.
“Jam i njëjti, por më i lumtur dhe i lehtësuar. Gjatë këtij rrugëtimi kemi bërë hapa shumë të mëdhenj dhe kemi arritur gjëra me shumë vlerë. Por në fund, jemi këtu për të fituar trofe të mëdhenj. Ky ishte qëllimi kryesor”, tha Arteta.
Ai shtoi se dhimbja e dështimeve të mëparshme e shtyu skuadrën të gjente mënyra të reja për të treguar karakterin e saj. /GazetaExpress/
“Ishim shumë afër dhe disa herë dështuam në fund. Ishte shumë e dhimbshme, por pikërisht kjo na shtyu të tregojmë nga çfarë jemi të përbërë. Mënyra se si ia dolëm e bën këtë sukses edhe më të bukur”, përfundoi Arteta.