Fury dhe Ibrahimovic synojnë blerjen e Morecamben - Gazeta Express
string(39) "fury-dhe-ibrahimovic-synojne-morecamben"

Futboll

Gazeta Express

25/05/2026 13:39

Fury dhe Ibrahimovic synojnë blerjen e Morecamben

Futboll

Gazeta Express

25/05/2026 13:39

Tyson Fury thuhet se po përgatit një lëvizje të madhe jashtë ringut, duke bashkuar forcat me Zlatan Ibrahimovic për të blerë një klub anglez futbolli.

Ish-kampioni i peshave të rënda në boks u rikthye në ring pas 16 muajsh “pensionim”, duke mposhtur Arslanbek Makhmudov në Londër më 11 prill. Që atëherë, është përfolur shumë për duelin e tij të ardhshëm, me një përballje britanike ndaj Anthony Joshuas që pritet më vonë gjatë vitit.

Megjithatë, Fury i befasoi tifozët këtë javë kur publikoi një foto përballë ish-sulmuesit të Manchester Unitedit, Zlatan Ibrahimovic, duke pretenduar se dyshja do të ndeshet në ring më 1 gusht në Dublin.

Pak kush e beson se Fury dhe Ibrahimovic do të zhvillojnë vërtet një duel boksi, por kjo nuk do të thotë se ata nuk po përgatisin diçka të madhe së bashku.

Sipas raportimeve, Fury po mendon të blejë klubin e qytetit të tij, Morecambe, së bashku me legjendën suedeze. Dyshja dëshiron ta marrë klubin nën kontroll dhe të realizojë një dokumentar në Netflix me titullin “Rise of Morecambe”.

Një burim ka bërë të ditur se Fury dhe Ibrahimovic u takuan në Varshavë, ku po xhironin një reklamë për Botërorin, dhe aty diskutuan idenë për blerjen e klubit që garon në National League North.

“Ata duan ta blejnë klubin dhe të bëjnë një dokumentar në Netflix, njësoj si Ryan Reynolds me Wrexhamin. Të dy e dinë çfarë duhet për të arritur majat”, tha burimi.

Fury dhe Ibrahimovic njihen prej vitesh dhe kanë ruajtur raporte të mira. Zlatan, gjatë kohës kur luante për Manchester Unitedin, thuhet se stërvitej herë pas here në palestër me Furyn.

Morecambe ishte shumë pranë shuarjes vitin e kaluar, para se të shpëtohej nga konsorciumi Panjab Warriors. Megjithatë, sezoni i dobët dhe rënia nga National League, pas rënies nga League Two një vit më herët, kanë rikthyer shqetësimet për të ardhmen e klubit.

Pikërisht për këtë arsye, Fury dhe Ibrahimovic besojnë se mund ta ndryshojnë situatën, duke ndjekur modelin e suksesshëm të Ryan Reynolds dhe Rob McElhenney te Wrexham, që nga futbolli jashtë ligave është ngjitur deri në Championship.

Fury shpreson të shfrytëzojë edhe lidhjet e krijuara nga seriali i tij në Netflix, “At Home with the Furys”, për të ndërtuar një projekt të ngjashëm me “Welcome to Wrexham”.

Kjo lëvizje do të kishte kuptim për 37-vjeçarin, pasi Fury ka lidhje të forta me Morecambe FC. Ai ka ndërtuar palestrën e tij kryesore brenda stadiumit të klubit, “Mazuma Stadium”, ku ndodhet edhe selia e fondacionit të tij, Tyson Fury Foundation. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement