“Big Brother” në kampin e tmerrit - Gazeta Express
string(31) "big-brother-ne-kampin-e-tmerrit"

“Big Brother” në kampin e tmerrit

OP/ED

Gazeta Express

19/03/2024 13:27

Filmi “The Zone of Interest” është një rrëfim rrëqethës për mizoritë ndaj hebrenjve në kampin Auschwitz. Por, krimet e tmerrshme nuk tregohen, ato vetëm dëgjohen. Ndërkohë, përgjegjësi i kampit, Rudolf Hoss, bën jetë normale vetëm pak metra larg.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Rrëqethës dhe fort i vështirë për ta parë. Kështu e kanë cilësuar kritikët filmin “The Zone of Interest” të regjisorit Jonathan Glazer, i cili sivjet u shpërblye me çmimin “Oscar” për filmin më të mirë të huaj. Filmi vërtet ështëi tillë. Një rrëfim për Holokaustin, por i sjellur për publikun ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim deri tash. “The Zone of Interest” nuk përmban skena krimi, vrasjesh e vuajtjesh të hebrenjve. Por, është aq i fuqishëm, sa që bën të rrëqethet trupi.

Në qendër të rrëfimit është jeta e përditshme e familjes së Rudolf Hossit, komandantit të kampit të përqendrimit Auschwitz në Poloni. Ai jeton në shtëpinë ngjitur me kampin, së bashku me gruan Hedwig Hensel dhe pesë fëmijët e tyre. Hoss ishte drejtues kampi nga viti 1940 deri në vitin 1945. Vlerësohet se në kamp janë vrarë 1.1 milion njerëz, nga të cilët një milion hebrenj. Gjatë gjithë kësaj kohe, familja Hoss ka jetuar veç pak metra nga vendi i tmerrit, në një shtëpi të madhe, me kopsht të bukur, të cilin nga kampi e ka ndarë vetëm një mur i lartë betoni.

Regjisori Glazer ka zgjedhur që tmerret e kampit t’ishfaq nëpërmjet familjes Hoss, teksa në prapavijë dëgjohen britmat e tmerrshme të njerëzve që vriten pamëshirshëm, qëmbyten në dhma gazi e digjen në krematoriume. Familja Hoss bën jetë normale, thua se në anën tjetër të murit nuk po ndodh asgjë.

Regjisori ka zgjdhur edhe një mënyrë interesante të xhirimit, si të “Big Brother”. “Big Brother” në një shtëpi nazisti. Pra, kameramanët nuk kanë qenë pjesë e setit të xhirimit, siç ndodh rëndom, por aktorët janë “vëzhguar” vazhdimisht.

Për xhirime është shfytëzuar vetëm ndriçimi natyror dhe shpesh filmi duket si një dokumentar. Filmi nuk ka dramëbrenda, pasi që nuk ka asgjë dramatike as brenda familjes Hoss. Drama, tmerri ndodh pak metra më tej dhe nuk shihet, vetëm dëgjohet.

Por, kjo nuk e pengon zonjën e shtëpisë, Hedwigen, të kënaqet duke pirë kafe bashkë me shoqet e veta, përderisa fëmijët luajnë pa brenga në katin e dytë. Ajo e quan veten “mbretëresha e Auschwitzit”. Në të njëjtën kohë, Hoss bën plane se si në krematoriume të djeg sa më shumë njerëz.

***

Rolin e Rudolf Hossit e luan Christian Friedel, kurse rolin e Hedwiges Sandra Hiler. Filmi ka marrë shumë kritika pozitive. Peter Bradshaw i “Gardian” ka shkruar se “vëmendja është përqendruar ashpër në banalitetin e së keqes”.

Ndonëse filmi nuk ka skena krimi, megjithatë shikuesit nuk mund t’i shmangen tmerrit të kampit. Regjisori ia ka dalë që nëpërmjet zërave, zhurmave dhe tingujve t’i shpërfaq gjithë mizoritë që ndodhin përtej murit. Për këtë meritat i takojnë dizajnerit të zërit, Johnnie Burn. Ai nuk e kishte aspak të lehtë që të rikonstruktojë zërat e të burgosurve në kamp.

Gjithë zona e Kampit tëAuschwitzit është pjesë e trashëgimisë së UNESCO’s dhe është e ndaluar që të ndërtohet çfarëdoqoftë në një perimetër prej 500 metrash përreth. Megjithatë, regjisori ia ka dalë që filmin ta xhirojë në hapësirën, të cilën nazistët e quanin “zona e interesit”. Nga kjo hapësirë gjermanët kishin dëbuar dhunshëm 9 mijë njerëz, në mënyrë që të pamundësojnë kontaktin e të burgosurve brenda kampit me botën jashtë dhe të sigurohen që nuk do të ketë dëshmitarë të krimeve monstruoze.

Fuqia e filmit qëndron në atë që dëgjohet, jo në atë që shihet. Filmi nis me zëra rrëqethës, pa fotografi, për të vzhduar me jetën normale të familjes Hoss. Në ekran nuk shfaqen skena dhune dhe vrasjesh, kështu që shikuesit vetëm mund të imagjinojnë se çfarë ndodh në kamp.

Për Holokaustin janë xhiruar shumë filma, por asnjëri si ky nuk i nxjerr në pah mizoritë e nazistëve pa i shfaqur ato me figurë. Rudolf Hoss është ekzekutuar si fajtor për krime lufte në vitin 1947. Filmat, si ky i Jonathan Glazerit, na kujtojnë një epokë të errët, për të cilën është thënë se nuk duhet lejuar të përsëritet asnjëherë. Por, luftërat, krimet dhe mizoritë gjithandej, edhe në këtë shekull, tregojnë se njerëzimi, fatkeqësisht, nuk ka mësuar shumë nga Holokausti.