Kosova, në radarët e një projekti të madh fantastiko-shkencor - Gazeta Express
string(60) "kosova-ne-radaret-e-nje-projekti-te-madh-fantastiko-shkencor"

Arte

Gazeta Express

25/05/2026 13:59

Kosova, në radarët e një projekti të madh fantastiko-shkencor

Arte

Gazeta Express

25/05/2026 13:59

Një projekt ambicioz ndërkombëtar fantastiko-shkencor, që synon të bashkojë filmin, video-lojërat dhe përvojat e realitetit virtual, mund ta vendosë Kosovën në hartën globale të industrisë kreative.

Në një intervistë për Katror Media, shkrimtari, regjisori dhe producenti Jason Mann ka konfirmuar se ekipi i tij po e shqyrton seriozisht Kosovën si lokacion potencial për realizimin e projektit.

Sipas Mann, bëhet fjalë për një univers fantastiko-shkencor që synon t’i rikthehet frymës së kinemasë së viteve 1960 dhe 1970, kur filmat realizoheshin me sete fizike, miniatura dhe efekte praktike, por duke e kombinuar këtë qasje me teknologjitë moderne të prodhimit filmik.

“Po ndërtojmë diçka të paprecedentë në kinematografinë e pavarur moderne. Është një univers fantastiko-shkencor filmash, lojërash dhe përvojash të realitetit virtual, që i bën jehonë epokës më aventuriere të kinemasë fantastiko-shkencore, por njëkohësisht shikon përpara teknologjikisht”, ka deklaruar Mann.

Ai ka treguar se për vite me radhë ekipi ka analizuar lokacione të ndryshme në botë, përfshirë Poloninë, Hungarinë, Spanjën, Kilin, Tajlandën, Qipron, Kroacinë, Slloveninë, Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Irlandën. Kontakti me Kosovën erdhi përmes Philip Gilpin nga Catalyst Institute.

“Po kryejmë vlerësime për të parë nëse infrastruktura në Kosovë mund t’i përmbushë nevojat e këtij filmi shumë kompleks dhe të komponentëve të tij shtesë. Duket se vendi mund të ketë shumë nga ajo që kërkohet, por jemi ende në fazën e vlerësimit të infrastrukturës, lokacioneve dhe fuqisë punëtore”, ka shtuar ai.

Projekti pritet të ketë përfshirjen e emrave me përvojë të madhe ndërkombëtare. Mann ka konfirmuar se partnerët kryesorë të produksionit, Narwhal Studios dhe Arctic7, kanë punuar më parë në pesë produksione të universit “Star Wars” për Disney+, përfshirë The Mandalorian, Ahsoka, Skeleton Crew, Obi-Wan Kenobi dhe The Book of Boba Fett.

Ata gjithashtu kanë qenë të angazhuar në projekte të njohura si Ant-Man and the Wasp: Quantumania për Marvel, Avatar: The Last Airbender dhe Rebel Moon për Netflix.

“Niveli i talentit të lidhur me këtë projekt është diçka për të cilën jemi vërtet krenarë. Edhe pse projekti ende nuk ka nisur, ekipi është i klasit botëror”, ka thënë Mann, duke shtuar se edhe aktorë të njohur ndërkombëtarisht kanë shprehur interes, ndonëse emrat nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë.

Një nga aspektet më të rëndësishme të projektit, sipas tij, është ndërtimi i një marrëdhënieje të qëndrueshme me komunitetin lokal. Mann ka theksuar se ekipi dëshiron të kontribuojë në zhvillimin e një komuniteti filmik në Kosovë dhe të krijojë mundësi praktike për studentët e rinj që synojnë të mësojnë më shumë për industrinë globale të filmit dhe produksionit.

Nëse realizohet, ky projekt mund të shënojë një hap të rëndësishëm për pozicionimin e Kosovës si destinacion serioz për produksione ndërkombëtare dhe si hapësirë me potencial për zhvillimin e industrive kreative.

Advertisement
Advertisement
Advertisement