Gjurmë shqiptare në filmin fitues të “Palmës së Artë” - Gazeta Express
string(51) "gjurme-shqiptare-ne-filmin-fitues-te-palmes-se-arte"

Arte

Gazeta Express

25/05/2026 13:55

Gjurmë shqiptare në filmin fitues të “Palmës së Artë”

Arte

Gazeta Express

25/05/2026 13:55

Drama rumune “Fjord”, me regji të Christian Mungiu, triumfoi në Festivalin e Kanës duke fituar çmimin prestigjioz “Palma e Artë”. Në këtë sukses ndërkombëtar ka edhe kontribut shqiptar.

Pjesë e ekipit realizues të filmit ishte Gjyljeta Berisha, shqiptare nga Kosova që jeton në Norvegji, e cila punoi si asistente regjie në këtë projekt. Kontributi i saj është pjesë e rrugëtimit të një filmi që e riktheu Mungiun te një nga çmimet më të rëndësishme të kinemasë botërore.

Në “Fjord” ka punuar edhe një tjetër shqiptar nga Kosova, Alldin Dauti, i cili ishte përgjegjës për efektet vizuale. Të dy kanë ndërtuar përvojë të rëndësishme në kinematografinë skandinave, duke qenë të angazhuar në filma dhe seriale të ndryshme.

Filmi trajton historinë e një çifti rumunësh fetarë që zhvendosen në Norvegji për një jetë më të mirë, por përfshihen në një hetim për abuzim ndaj fëmijëve për shkak të mënyrës së ashpër të edukimit të djalit të tyre. Ajo që në komunitetin e tyre në Rumani shihej si disiplinë e zakonshme, në Norvegji interpretohet si dhunë.

Përmes kësaj historie, Mungiu eksploron përplasjen mes kulturave, emigracionit, fesë dhe kufirit të brishtë mes edukimit dhe abuzimit.

Në rolet kryesore janë Renate Reinsve, e njohur nga “The Worst Person in the World”, dhe Sebastian Stan, aktori me origjinë rumune që ka ndërtuar karrierë të suksesshme në Hollywood.

Kritikët e kanë vlerësuar “Fjord” si një nga dramat më të fuqishme emocionalisht të këtij edicioni të Cannes, duke e cilësuar si një film të ftohtë, të tensionuar dhe shumë aktual për Evropën e sotme. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement