Peptidet janë kthyer në një nga përbërësit më të përfolur në kujdesin ndaj lëkurës. Ato gjenden sot në gjithçka, nga serumet prej 15 eurosh, deri te kremrat luksozë që kushtojnë qindra euro. Por nëse ende nuk e dini saktësisht çfarë janë, nuk jeni të vetmit.
Thënë thjesht, peptidet janë zinxhirë të vegjël aminoacidesh, të cilat janë blloqet ndërtuese të proteinave në trup. Kombinimet e tyre janë pothuajse të pafundme.
Shkencëtarët kanë identifikuar më shumë se 7 mijë peptide bioaktive që ndodhen natyrshëm në trup dhe që ndihmojnë në rregullimin e funksioneve të rëndësishme, si rritja dhe riparimi i muskujve, balancimi i hormoneve dhe kontrolli i inflamacionit.
Peptidet kanë rol edhe në zona të tjera të trupit, përfshirë kontrollin e sheqerit në gjak dhe rregullimin e oreksit. Në fakt, injeksionet për humbje peshe si Wegovy dhe Mounjaro bazohen në peptide sintetike, të dizajnuara për të imituar hormonet që lidhen me urinë dhe sheqerin në gjak.
Në kujdesin ndaj lëkurës, disa peptide u dërgojnë sinjale qelizave të lëkurës që të riparohen, forcohen ose rinovohen. Disa ndihmojnë lëkurën të prodhojë më shumë kolagjen dhe elastinë, dy proteina që e mbajnë lëkurën të fortë, të lëmuar dhe elastike. Të tjera mund të ndihmojnë në qetësimin e inflamacionit, forcimin e barrierës mbrojtëse të lëkurës, uljen e skuqjes dhe zvogëlimin e pigmentimit.
Megjithatë, ndryshe nga retinoli, një formë e përqendruar e vitaminës A që përshpejton rigjenerimin e qelizave të lëkurës, peptidet zakonisht veprojnë më gradualisht. Ato nuk janë trajtim i menjëhershëm për shtrëngimin e lëkurës dhe duhet të përdoren rregullisht për të dhënë efekt të dukshëm.
Industria e peptideve është gjithashtu një biznes i madh. Sipas vlerësimeve të Mordor Intelligence, tregu britanik i peptideve kozmetike, pra i përbërësve të papërpunuar që përdoren në produktet me peptide, pritet të arrijë vlerën rreth 194 milionë paund në vitin 2026. Ndërkohë, tregu më i gjerë i kujdesit të fytyrës në Mbretërinë e Bashkuar vlen më shumë se 3.59 miliardë paund.
Pra, a mund ta shtrëngojnë vërtet peptidet lëkurën e varur, apo konsumatorëve thjesht po u shitet një ëndërr e shtrenjtë?
Sipas Alexandra Mills, infermiere e specializuar në estetikë në klinikën e saj “A.M Aesthetics” në Londër, peptidet mund të luajnë rol të dobishëm në mbështetjen e lëkurës që po plaket.
Ato veprojnë duke synuar fibroblastet, qelizat që marrin pjesë në prodhimin e kolagjenit, elastinës dhe acidit hialuronik.
“Në kujdesin ndaj lëkurës, peptidet po studiohen dhe përdoren sepse mund të ndihmojnë në trajtimin e shenjave të zakonshme të plakjes, si humbja e fortësisë, vijat e holla dhe toni i pabarabartë i lëkurës”, thotë Mills.
“Ekspertët gjithashtu besojnë se në të ardhmen ato mund të kenë përdorime më të gjera mjekësore në dermatologji.”
Peptidet që gjenden aktualisht në treg mund të jenë me origjinë bimore, me origjinë shtazore, për shembull nga placenta e deles, ose sintetike, pra të prodhuara në laborator.
Sipas Mills, peptidet sintetike shpesh konsiderohen më të sigurta, sepse mund të dizajnohen, testohen dhe formulojnë me kujdes për të synuar një problem specifik të lëkurës.
Ekzistojnë edhe neuropeptidet, molekula të vogla të ngjashme me proteinat, të cilat marrin pjesë në dërgimin e sinjaleve mes qelizave nervore. Në produktet kozmetike, ato zakonisht përdoren në formula që pretendojnë se zbusin pamjen e rrudhave të mimikës.
Megjithatë, ato nuk janë njësoj si Botox-i, i cili shkakton paralizë të përkohshme të muskujve. Prandaj, nuk duhet pritur që neuropeptidet të japin të njëjtin efekt “ngrirës” apo zbutës.
“Shumica e peptideve veprojnë duke u lidhur me receptorët në sipërfaqen e qelizave të lëkurës dhe duke u dërguar atyre udhëzime”, shpjegon Mills.
“Peptide të ndryshme bëjnë punë të ndryshme. Disa veprojnë si lajmëtarë, duke i thënë lëkurës të riparohet ose të rinovohet. Të tjera ndihmojnë në shpërndarjen e përbërësve ose ndikojnë në qarkullimin e gjakut dhe inflamacionin në lëkurë.
Disa peptide të tjera bllokojnë enzima të caktuara që nxisin prodhimin e melaninës, gjë që mund të ndihmojë në ngadalësimin ose parandalimin e njollave të errëta në lëkurë, të njohura si melasma ose njolla moshe.”
Megjithatë, Mills thekson se peptidet nuk janë zgjidhje e shpejtë dhe se duhet përdorim i vazhdueshëm për të parë rezultate.
“Peptidet mund të vijnë në përqendrime të ndryshme, varësisht nga formula dhe qëllimi i produktit”, thotë ajo.
“Sa shpejt funksionojnë varet nga lloji i peptidit, doza, problemi i lëkurës që synohet dhe sa i rëndë është ai problem.
Shqetësimet më komplekse, si plakja e lëkurës, zakonisht kërkojnë më shumë kohë për t’u përmirësuar.”
Me kaq shumë produkte të fuqishme kozmetike që sot gjenden në banjot tona, dhe me videot në “SkinTok” që i bëjnë shumë njerëz të ndihen si dermatologë amatorë, është e rëndësishme të dihet si dhe kur duhen shtuar peptidet në rutinë.
Shumë njerëz kombinojnë në shtëpi përbërës aktivë, acide, eksfoliantë dhe kremra zbutës, shpesh pa e ditur mirë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet përdorur së bashku.
Edhe pse peptidet në përgjithësi kanë më pak gjasa të shkaktojnë irritim sesa retinoli apo acidet e forta, nuk është e këshillueshme të përdoren menjëherë në sasi të mëdha.
“Njerëzit me lëkurë të ndjeshme duhet të kenë kujdes me çdo produkt me peptide dhe gjithmonë duhet të bëjnë fillimisht një test në një zonë të vogël të lëkurës”, thotë Mills.
“Ato mund ta irritojnë lëkurën nëse përdoren shumë shpesh ose në përqendrim shumë të lartë.”
Pra, ku përshtaten peptidet në rutinën e kujdesit dhe si mund të shmanget irritimi nga kombinimi i gabuar i produkteve?
“Peptidet klasifikohen si përbërës aktivë, por nuk janë të njëjta me retinolin”, thotë profesori Syed Haq, mjek konsulent dhe ekspert i anti-plakjes.
“Do të tregohesha i kujdesshëm në kombinimin e peptideve me shumë përbërës të fortë aktivë njëkohësisht, veçanërisht me vitaminë C në dozë të lartë, retinoide dhe acide të forta si acidi glikolik apo salicilik.
Alkooli dhe aromatizuesit në disa produkte gjithashtu mund të rrisin rrezikun e irritimit, sidomos te lëkura e ndjeshme.”
Dhe vetëm sepse peptidet kanë potencial të sjellin ndryshime, kjo nuk do të thotë se duhet të përdoren të gjitha njëherësh.
“Të përdorësh shumë produkte të ndryshme me peptide së bashku nuk është gjithmonë më mirë”, shton profesori Haq. “Në disa raste, ato mund të pengojnë njëra-tjetrën dhe të ulin efektin që po përpiqeni të arrini.”
Nëse një serum me peptide arrin të depërtojë në lëkurë, kjo varet kryesisht nga madhësia e molekulës.
“Sa më i vogël të jetë peptidi, aq më lehtë mund të depërtojë në lëkurë”, shpjegon Haq.
“Disa peptide mund të kalojnë përmes epidermës, shtresës së jashtme të lëkurës, dhe potencialisht të arrijnë në shtresa më të thella, si derma.”
Edhe sistemi i shpërndarjes së përbërësve është po aq i rëndësishëm sa vetë formula.
Lipozomet dhe nanozomet janë bartës shumë të vegjël, të ngjashëm me flluska, që mbajnë përbërësit aktivë dhe ndihmojnë në përthithjen më efektive të tyre. Hidrogelet, nga ana tjetër, janë xhele të pasura me ujë që ndihmojnë në hidratimin e lëkurës dhe lirimin gradual të përbërësve.
Sipas profesorit Haq, aplikimi i peptideve si pjesë e një trajtimi me mikrogjilpëra mund të përmirësojë gjithashtu depërtimin e tyre në lëkurë.
Lajmi i mirë është se produktet me peptide nuk kanë pse të jenë domosdoshmërisht luksoze ose të aplikohen në klinikë për të pasur efekt. Aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar ka shumë linja produktesh me peptide, nga serumet e përballueshme në dyqane të zakonshme, deri te kremrat premium që kushtojnë mbi 100 paund.
Në kategorinë më ekonomike, me çmime rreth 10 deri në 20 paund, marka si The Ordinary ofrojnë serume të thjeshta me shumë peptide, të dizajnuara për të mbështetur hidratimin, forcimin e barrierës së lëkurës dhe shenjat e para të plakjes.
Produktet e rangut të mesëm, zakonisht mes 20 dhe 50 paund, shpesh përmbajnë përbërës më të specializuar, si peptide bakri ose përzierje të fokusuara kundër rrudhave.
Në kategorinë luksoze, marka si Medik8, Murad, Lab 31b dhe Perricone MD, me produkte që kushtojnë nga 50 deri në mbi 175 paund, ofrojnë përzierje më të avancuara peptide, neuropeptide dhe sisteme shpërndarjeje që synojnë të ndihmojnë përbërësit të depërtojnë më mirë në lëkurë.
Megjithatë, ekspertët thonë se çmimi nuk është tregues i sigurt se sa mirë do të funksionojë një produkt me peptide. Gjithçka varet nga nevojat e lëkurës suaj, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda.
Në fund, peptidet mund të jenë një shtesë e dobishme në rutinën e kujdesit ndaj lëkurës, veçanërisht për hidratim, forcim të barrierës dhe mbështetje kundër shenjave të plakjes. Por ato nuk janë mrekulli brenda natës. Për të pasur rezultat, duhet zgjedhur formula e duhur, duhet përdorur me kujdes dhe mbi të gjitha me durim. /GazetaExpress/