Studiuesit kanë zbuluar një mënyrë të re për të identifikuar lezione në tru që deri më tani nuk mund të dalloheshin, një zhvillim që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në luftën kundër sklerozës multiple.
Skleroza multiple, e njohur si MS, është një sëmundje serioze ku sistemi imunitar sulmon gabimisht sistemin nervor të trupit. Ajo prek rreth 150 mijë persona në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo sëmundje mund të shkaktojë një gamë të gjerë simptomash, përfshirë lodhje, probleme me shikimin, spazma muskulore, vështirësi me kujtesën dhe probleme me ekuilibrin. Një nga shenjat kryesore të MS-së janë lezionet dhe dëmtimet që ajo lë në tru dhe në palcën kurrizore.
Megjithatë, për vite me radhë, një pjesë e rëndësishme e kuptimit të këtyre lezioneve ka mbetur jashtë mundësive të shkencëtarëve.
Studiuesit e kanë ditur prej kohësh se dëmtimi i materies gri të trurit, e cila është përgjegjëse për përpunimin e informacionit, lëvizjen, kujtesën dhe emocionet, luan rol të madh në përparimin e sëmundjes.
Por deri më tani, skanimet me rezonancë magnetike, të njohura si MRI, që përdoren për monitorimin e pacientëve me MS, kanë qenë në gjendje të dallojnë kryesisht lezionet në materien e bardhë të trurit.
Si rezultat, studiuesit kanë pasur pak mundësi për të monitoruar dëmtimet e fshehura në materien gri, edhe pse e dinin se ato me shumë gjasë po ndodhnin. Për këtë arsye, shumë ilaçe të zhvilluara vitet e fundit për MS-në janë fokusuar kryesisht në trajtimin e lezioneve në materien e bardhë.
Tani, shkencëtarët në Universitetin në Buffalo thonë se kanë gjetur një mënyrë për të zbuluar lezionet në materien gri, një hap që mund të jetë shumë i rëndësishëm për trajtimin e sklerozës multiple.
Robert Zivadinov, autori i lartë i studimit dhe profesor i neurologjisë në Universitetin në Buffalo, tha se zbulimi i lezioneve kortikale të padukshme më parë në skanimet tradicionale MRI ka rëndësi të madhe për kërkimet dhe kujdesin klinik ndaj MS-së.
“Aftësia për t’i parë për herë të parë këta tregues të fshehur të përparimit të MS-së, përfshirë dëmtimet njohëse dhe paaftësinë, është një përparim i rëndësishëm”, deklaroi ai.
Studiuesit përdorën inteligjencën artificiale për të krahasuar disa lloje të ndryshme imazhesh MRI të të njëjtit tru në të njëjtën kohë.
Ata e testuan këtë teknikë në skanimet e më shumë se 700 pacientëve me MS dhe zbuluan mbi 11 mijë lezione të materies gri që më parë nuk mund të identifikoheshin.
Ndërsa secili skanim veçmas tregonte pak ose aspak shenja dëmtimi në materien gri të trurit, inteligjenca artificiale arriti të dallonte dallime shumë të vogla mes imazheve, të cilat syri i njeriut nuk mund t’i shohë.
Sipas studiuesve, kjo teknologji mund të identifikojë edhe zonat ku indi i trurit nuk sillet si ind i shëndetshëm.
Michael G. Dwyer, autori i parë i studimit dhe profesor i asociuar i neurologjisë dhe informatikës biomjekësore në Jacobs School, tha se për vite me radhë studiuesit kanë qenë të frustruar nga fakti se e dinin që këto lezione kortikale ekzistonin, por nuk mund t’i shihnin.
“Ka shumë dëmtime të vazhdueshme në MS që nuk mund të shihen me MRI tradicionale, por që histopatologët i kanë dëshmuar qartë për dekada me radhë në indet e ekzaminuara pas vdekjes”, tha ai.
“Ajo që kjo bashkëpunim ka arritur është një histori e vërtetë suksesi për përdorimin e inteligjencës artificiale në fushën mjekësore. Tani kemi qasje në të dhëna jashtëzakonisht të dobishme nga skanimet MRI, të cilat kanë qenë aty, por nuk mund të shiheshin pa përdorimin e AI-së për t’i nxjerrë në pah. Metodat kompjuterike më në fund kanë arritur në pikën ku mund ta bëjmë këtë”, shtoi Dwyer.
Lezionet e MS-së mendohet se shkaktojnë shumë nga simptomat dobësuese të sëmundjes, përfshirë dobësi, mpirje, probleme me shikimin dhe vështirësi me ekuilibrin.
Ato ndërhyjnë në rrjetin e komunikimit të trurit duke ngadalësuar ose bllokuar sinjalet nervore.
Profesor Zivadinov shtoi se ky zbulim, i cili ka treguar se në tru ekziston shumë patologji e padukshme, do të ketë ndikim të madh si në rishikimin e të dhënave nga provat klinike të mëparshme, ashtu edhe në studimet e ardhshme.
Numri i personave që jetojnë me MS në Britani është rritur me rreth 20 mijë që nga viti 2019.
Simptomat zakonisht shfaqen për herë të parë mes moshës 20 dhe 40 vjeç. Sëmundja mendohet se ndodh kur sistemi imunitar sulmon gabimisht mbështjellësin e mielinës, shtresën mbrojtëse rreth fibrave nervore. Kjo shkakton inflamacion dhe dëmtim të sistemit nervor qendror.
MS zakonisht nuk është fatale, por në faza të avancuara mund të dobësojë muskujt që përdoren për frymëmarrje dhe gëlltitje, duke rritur rrezikun për infeksione serioze.
Aktualisht nuk ka kurë për sklerozën multiple, por trajtimet ekzistuese mund të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes. /GazetaExpress/