Sezoni i vështirë i West Ham United përfundoi në mënyrën më të keqe, me rënien nga Premier League në javën e fundit.
“Çekiçët” fituan 3-0 ndaj Leeds United, por suksesi nuk mjaftoi, pasi rivali lokal Tottenham siguroi mbijetesën me fitoren ndaj Evertonit.
Tani West Hami pritet të ketë një verë shumë të ngarkuar, teksa përgatitet për rikthimin në Championship. Sipas raportimeve, klubi duhet të sigurojë rreth 150 milionë funte nga shitjet e lojtarëve për të mbuluar humbjet e mëdha nga rënia prej elitës. Crysencio Summerville, Konstantinos Mavropanos dhe Mateus Fernandes janë përmendur tashmë si emra që mund të largohen.
Një tjetër çështje e hapur është e ardhmja e James Ward-Prowse, i cili e kaloi gjysmën e dytë të sezonit në huazim te Burnley. Mesfushori 31-vjeçar u la jashtë planeve sapo Nuno Espirito Santo mori drejtimin e West Hamit, ndërsa bordi thuhet se ishte i shqetësuar nga mënyra se si ai u izolua.
Sipas raportit, pas stërvitjes së parë, Nuno i kishte thënë privatisht Ward-Prowse se nuk ishte pjesë e planeve të tij dhe se duhej të stërvitej i vetëm derisa të arrihej një transferim. Drejtuesit e klubit nuk ishin të qetë me këtë vendim, por ndien se duhej ta mbështesnin trajnerin që vetë e kishin emëruar.
Ward-Prowse nuk ishte i vetmi lojtar që u la mënjanë nga ish-trajneri i Wolves. Para humbjes së rëndë 3-0 ndaj Wolves në janar, Nuno pati edhe një përplasje me Callum Wilsonin dhe më pas i bëri të ditur sulmuesit se ishte i lirë të largohej. Megjithatë, paradoksi ishte se trajneri kishte nevojë për të në ndeshjen e radhës dhe e aktivizoi gjatë gjithë takimit.
Wilson më pas shënoi golin vendimtar në fitoren 2-1 ndaj Tottenhamit, çka e shtyu bordin të bllokonte largimin e tij në merkaton e janarit. Rënia e West Hamit mund të kishte qenë edhe më e rëndë nëse klubi do ta kishte lejuar atë transferim.
Nuno pati përplasje edhe me mbrojtësin Jean-Clair Todibo. Francezi i kishte thënë trajnerit se nuk do të luante më për të, pasi u zëvendësua vetëm 25 minuta pas fillimit të humbjes 3-1 ndaj Newcastle. Todibo nuk e priti mirë vendimin për t’u sakrifikuar në vend të Taty Castellanos dhe u la jashtë skuadrës për ndeshjen e fundit ndaj Leeds.
West Hami e bëri Nunon trajnerin më të paguar në historinë e klubit kur e emëroi me kontratë trevjeçare. Megjithatë, marrëveshja përfshinte një klauzolë për ulje të ndjeshme page në rast rënieje nga liga, si dhe mundësinë që klubi ta shkarkojë pa kompensim. Për këtë arsye, drejtuesit kanë përpara një verë me vendime shumë të mëdha. /GazetaExpress/