Lionel Messi ka shkaktuar shqetësim të madh vetëm pak javë para Botërorit 2026, pasi kërkoi të zëvendësohej gjatë ndeshjes spektakolare mes Inter Miamit dhe Philadelphia Union.
Kapiteni i Argjentinës u largua drejt tunelit në minutën e 73-të, pas një problemi të dyshuar muskulor. Messi u pa duke prekur pjesën e sipërme të kofshës së majtë, pak pasi kishte ekzekutuar një goditje dënimi, përpara se t’i sinjalizonte stolit se nuk mund të vazhdonte.
Megjithatë, trajneri i Inter Miamit, Guillermo Hoyos, u përpoq të ulte shqetësimet pas ndeshjes. Ai tha se ende nuk ka një raport mjekësor përfundimtar, por theksoi se bëhej fjalë më shumë për lodhje.

“Me sa di, ende nuk kemi raport për këtë, por ai ishte vërtet i lodhur. Ishte lodhje. Fusha ishte e rëndë dhe në raste të tilla është më mirë të mos rrezikosh”, u shpreh Hoyos.
Ndeshja në Florida ishte një nga më të çmendurat në historinë e MLS-së. Philadelphia Union kaloi shpejt në epërsi 2-0, por Messi asistoi për German Berteramen, duke nisur reagimin e Inter Miamit.
Pjesa e parë prodhoi tetë gola, rekord në historinë e MLS-së, me skuadrat që shkuan në pushim në barazim 4-4. Milan Iloski realizoi tripletë për Union, ndërsa Luis Suarez dhe Berterame ishin vendimtarë për Miamin. Në pjesën e dytë, pavarësisht reshjeve të forta, Suarez kompletoi tripletën e tij dhe Rodrigo De Paul shënoi golin e gjashtë për fitoren e Inter Miamit.

Tani vëmendja është e gjitha te gjendja fizike e Messit. MLS do të ketë një pushim të zgjatur për shkak të Botërorit, ndërsa Argjentina pritet të nisë mbrojtjen e titullit në mes të qershorit.
Kampionët e botës ende nuk e kanë publikuar listën zyrtare për turneun, por Messi mbetet figura qendrore e skuadrës së Lionel Scaloni-t. Argjentina do ta nisë fazën e grupeve më 16 qershor kundër Algjerisë, ndërsa stafi i kombëtares do të presë me kujdes raportet mjekësore nga Miami. /GazetaExpress/