Micky van de Ven ka shprehur zhgënjimin e tij të madh pas sezonit katastrofal të Tottenhamit, që shmangu rënien nga Premier League vetëm në javën e fundit.
Spurs siguruan mbijetesën falë fitores 1-0 ndaj Evertonit. Roberto De Zerbi arriti ta nxirrte skuadrën nga një situatë shumë e vështirë, pasi Tottenhami kishte fituar vetëm shtatë nga 31 ndeshjet e para të kampionatit. Nën drejtimin e italianit, ekipi mori tri fitore, dy barazime dhe dy humbje në shtatë ndeshje, mjaftueshëm për të qëndruar në elitë.
Van de Ven, i cili mbajti shiritin e kapitenit në mungesë të Cristian Romeros, nuk e fshehu zemërimin pas ndeshjes.

“Është e papranueshme që në ndeshjen e fundit të sezonit të luanim për mbijetesë. Ky klub ka lojtarë të jashtëzakonshëm. Ishte e turpshme që situata shkoi deri në javën e fundit, por ia dolëm dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha mbrojtësi holandez.
Ai pranoi se ishte shumë emocional pas fishkëllimës së fundit, duke e cilësuar sezonin të vështirë edhe në aspektin personal.
“Për mua ka qenë një sezon shumë i rëndë. Kam luajtur pothuajse çdo ndeshje dhe kam vuajtur shumë. Tani emocionet janë pozitive, por nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri”, shtoi Van de Ven.

Heroi i ndeshjes, Joao Palhinha, i cili shënoi golin vendimtar para pushimit, vlerësoi reagimin e skuadrës pas një sezoni të trazuar. Mesfushori portugez tha se Tottenhami tregoi karakter dhe unitet në momentin më të rëndësishëm.
“Ndodhën shumë gjëra këtë sezon, por sot treguam çfarë mund të bëjmë. Pas një sezoni kaq të keq, u paraqitëm si grup dhe patëm mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët”, u shpreh Palhinha.
Tani Tottenhami pritet të nisë një rindërtim të madh gjatë verës. De Zerbi synon ta ndërtojë skuadrën rreth lojtarëve kyç si Van de Ven, i cili ka kontratë deri në vitin 2029. Pavarësisht problemeve të ekipit, mbrojtësi zhvilloi një sezon të fortë individual, me 45 paraqitje në të gjitha garat, shtatë gola dhe një asistim. /GazetaExpress/