Mund të jetë një nga ushqimet më të preferuara të shpejta, por djathi i shkrirë mbi tost mund të mos jetë aq i mirë për shëndetin e zorrëve, sipas një studimi të ri.
Shkencëtarët zbuluan se çedari i pakrirë kishte efekt pozitiv te mikrobioma e zorrëve, pra te bashkësia e baktereve dhe organizmave të tjerë që lidhen me tretjen, imunitetin dhe madje edhe humorin.
Sipas studimit, çedari në gjendje të fortë rriti diversitetin e këtyre baktereve të dobishme, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrit të mikrobiomës. Por kur djathi shkrihej, ky efekt pozitiv zvogëlohej ndjeshëm.
Studiuesit nga University College Dublin analizuan ndikimin e çedarit te 69 vullnetarë gjatë gjashtë javëve. Një grup konsumoi 120 gramë djathë të pakrirë në ditë, ndërsa grupi tjetër hëngri të njëjtën sasi, por në formë të shkrirë.
Në fund të eksperimentit, shkencëtarët krahasuan ndryshimet në bakteret e zorrëve të pjesëmarrësve. Ata zbuluan se çedari kishte përfitime për mikrobiomën, por këto përfitime humbnin në masë të madhe kur djathi përdorej i shkrirë, si në tost.
Sipas studiuesve, ngrohja e djathit të fortë dëmton strukturën e tij, duke e bërë më të vështirë për trupin të përthithë lëndët ushqyese të dobishme.
Në raportin e botuar në revistën “Frontiers in Microbiology”, autorët shpjeguan se kur çedari shkrihet, struktura e tij e dendur gjysmë e ngurtë prishet dhe bëhet më e lirshme. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse djathi i shkrirë nuk sjell të njëjtën rritje të diversitetit bakterial.
Sondazhet tregojnë se djathi mbi tost është një nga ushqimet më të preferuara në Britani, me gati një në katër persona që e zgjedhin si snack-un e parë kur ndihen të uritur. /GazetaExpress/