Jarrod Bowen ka reaguar për të ardhmen e tij pas rënies dramatike të West Ham United nga Premier League, duke theksuar se synimi i tij aktual është ta ndihmojë klubin të rikthehet menjëherë në elitë.
West Hami i dha fund qëndrimit 14-vjeçar në Premier League, pavarësisht fitores 3-0 ndaj Leeds United në ndeshjen e fundit. Golat në pjesën e dytë nga Taty Castellanos, Bowen dhe Callum Wilson nuk mjaftuan, pasi Tottenhami fitoi ndaj Evertonit dhe e mbylli sezonin dy pikë para “Çekiçëve”.
Bowen, i cili është pjesë e klubit që nga janari i vitit 2020, është lidhur me një largim të mundshëm gjatë verës. Megjithatë, 29-vjeçari refuzoi të fliste gjatë për spekulimet.
“Është ende shumë e freskët. Të flasësh tani për të ardhmen është mungesë respekti ndaj klubit, tifozëve dhe gjithçkaje tjetër. Jam nën kontratë këtu. Do të ketë thashetheme dhe diskutime, por ajo që shoh unë është ta rikthejmë këtë klub në Premier League”, tha Bowen.

Ai shtoi se ka përjetuar momente shumë të mira me West Hamin, por pranoi se rënia nga liga është një nga momentet më të vështira. “Nuk e di askush çfarë sjell e ardhmja, por tani vizioni im është ta shoh këtë klub sërish në Premier League”, theksoi ai.
Trajneri Nuno Espirito Santo, i cili zëvendësoi Graham Potterin në shtator, u kërkoi falje tifozëve, por nuk dha garanci për të ardhmen e tij në stol.
“Është një moment trishtimi i thellë për të gjithë ne në klub. Ishte një ditë e vështirë dhe një mision i vështirë. Humbëm privilegjin për ta vendosur vetë fatin tonë. Dua t’u kërkoj falje tifozëve dhe t’i falënderoj për mbështetjen që na kanë dhënë”, tha Nuno.

Portugezi pranoi se skuadra u përmirësua, por jo mjaftueshëm për të shmangur rënien. Sipas tij, sezoni ishte i pazakontë, pasi zakonisht 39 pikë kanë qenë të mjaftueshme për mbijetesë në vitet e fundit.
West Hami tani duhet të përgatitet për një sezon të vështirë në Championship, me synimin për rikthim të menjëhershëm në Premier League. Klubi pritet të marrë vendime të rëndësishme për trajnerin, financat dhe përbërjen e skuadrës, ndërsa tifozët shpresojnë që Bowen të mbetet lideri i projektit për rikthimin në elitë. /GazetaExpress/