Kërkesa për një preparat vitaminik, të përmendur nga Donald Trump dhe Robert F. Kennedy Jr si një mundësi për trajtimin e autizmit, është rritur ndjeshëm, sipas një studimi të ri.
Në një kohë kur diagnozat e autizmit po shtohen në mbarë botën, Shtëpia e Bardhë kishte sugjeruar se leucovorina, e njohur edhe si acidi folinik, një formë e vitaminës B, mund të miratohej nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave për trajtimin e këtij çrregullimi neurozhvillimor.
Duke folur shtatorin e kaluar, Trump e cilësoi këtë zhvillim si një nga më të rëndësishmit në historinë mjekësore të SHBA-së.
“Mendoj se do ta gjeni të jashtëzakonshëm. Mendoj se kemi gjetur një përgjigje për autizmin”, tha ai.
Megjithatë, leucovorina nuk është miratuar nga FDA për trajtimin e autizmit. Ajo përdoret më shpesh për të kundërshtuar efektet toksike të disa trajtimeve të kimioterapisë. Preparati është i autorizuar për trajtimin e mungesës cerebrale të folatit, një gjendje e rrallë ku nivelet e vitaminës B9 në tru janë të ulëta dhe që është lidhur me autizmin në një pjesë të rasteve.
Tani, një studim i publikuar në JAMA Network Open sugjeron se vëmendja publike rreth këtij preparati ka nxitur një rritje të madhe të përshkrimeve nga mjekët.
Sipas studiuesve, numri i recetave për leucovorinë në SHBA u rrit me 2,000 për qind në fund të vitit të kaluar.
Joshua Rothman, profesor klinik asistent i pediatrisë në Shkollën e Mjekësisë të UC San Diego dhe autori kryesor i studimit, tha se familjet e fëmijëve me autizëm shpesh kërkojnë terapi që mund të përmirësojnë komunikimin dhe cilësinë e jetës, sidomos kur opsionet e trajtimit janë të kufizuara.
“Sipas këtij studimi, informacioni i shpërndarë përmes mediave, rrjeteve sociale dhe figurave publike mund të ndikojë shumë shpejt në praktikën reale të përshkrimit të barnave, madje edhe para se provat e mëdha klinike të përcaktojnë nëse një trajtim është vërtet i sigurt dhe efektiv”, tha Rothman.
Disa studime të vogla dhe raste të veçuara kanë sugjeruar se leucovorina mund të ndihmojë disa fëmijë me autizëm, veçanërisht ata me vështirësi në të folur.
Një rast i shpërndarë gjerësisht ishte ai i Ryan Baldridge Jr nga Missouri, i cili nga familja përshkruhej si “praktikisht joverbal” deri në moshën katërvjeçare. Pas diagnostikimit me autizëm, Ryan kishte vështirësi të formonte fjali dhe kryesisht përsëriste fjalët që dëgjonte.
Prindërit e tij e çuan më pas te Dr. Richard Frye, një specialist i autizmit që beson se mungesa e folatit mund të jetë në bazë të disa rasteve të këtij çrregullimi.
Testet treguan se Ryan kishte nivele të ulëta folati dhe ai nisi të merrte leucovorinë dy herë në ditë. Sipas familjes, brenda disa javësh ai filloi të fliste me fjali të plota dhe arriti të shprehte dashuri për herë të parë.
“Nuk kisha përjetuar kurrë një ‘të dua’ të thënë spontanisht nga djali im në pesë vitet e jetës së tij”, tha i ati. “Ishte si një shpërthim përmirësimi që ndodhi shumë shpejt. Tani nuk e ndal dot së foluri.”
Studiuesit thonë se histori të tilla me vëmendje të madhe publike, së bashku me komentet e figurave politike, duket se kanë ndikuar në rritjen e kërkesës.
Studimi analizoi më shumë se 300 milionë dosje pacientësh nga mbi 1,800 spitale dhe 41,500 klinika në të gjitha 50 shtetet amerikane. Duke u përqendruar te më shumë se 838 mijë fëmijë me autizëm, studiuesit ndoqën përshkrimet e barnave në gati 12 milionë vizita ambulatore nga janari 2023 deri në janar 2026.
Për dy vitet e para, normat e përshkrimit mbetën të qëndrueshme, me rreth 34 receta për 100 mijë vizita. Kjo ndryshoi pas një raportimi mediatik shumë të ndjekur në janar 2025, ku u paraqit një fëmijë i trajtuar me leucovorinë.
Deri në gusht, përshkrimet u rritën në 225 për 100 mijë vizita. Pas komenteve publike të Trump dhe Kennedy Jr, normat u rritën sërish, duke arritur në mbi 835 receta për 100 mijë vizita deri në nëntor 2025.
“Koha ishte shumë domethënëse. Rritjet nisën pas një historie mediatike të ndjekur gjerësisht dhe u përshpejtuan përsëri pasi zyrtarë federalë folën publikisht për këtë ilaç”, tha Rothman.
Sipas tij, rasti tregon se sa shpejt mund të ndryshojë praktika klinike kur një trajtim tërheq vëmendjen e publikut.
Autorët e studimit theksojnë se nevojiten ende prova klinike më të mëdha dhe më cilësore për të përcaktuar nëse leucovorina është vërtet efektive, si dhe për cilët pacientë mund të funksionojë.
“Tani kemi një shembull real se si vëmendja publike mund ta përshpejtojë përdorimin e një terapie para se provat shkencore të jenë plotësuar”, shtoi Rothman. “Hapi tjetër është të sigurohemi që të gjenerojmë të dhëna rigoroze, në mënyrë që familjet dhe mjekët të marrin vendime të informuara.” /GazetaExpress/