Me afrimin e turneut të Wimbledonit, shumë njerëz pritet të rikthejnë raketat e vjetra dhe të zbresin sërish në fushë. Të tjerë, të frymëzuar nga atmosfera e turneut, mund ta provojnë tenisin për herë të parë.
Pavarësisht nivelit, disa ndeshje tenisi mund të sjellin përfitime të shumta për shëndetin, nga ulja e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, deri te përmirësimi i ekuilibrit, koordinimit dhe ndërveprimit social.
Sipas disa studimeve, tenisi madje mund të lidhet edhe me jetëgjatësi më të madhe. Por me rritjen e popullaritetit të sporteve të tjera me raketë, si padel, lind pyetja: a ia vlen ende të luhet tenisi tradicional?
Trajneri Robert Neal, nga Paddington Sports Club, thotë se po. Sipas tij, tenisi është një stërvitje për të gjithë trupin, pasi përfshin krahët, këmbët dhe njëkohësisht kërkon përqendrim mendor. Ai shton se anëtarësimi në klube tenisi sjell edhe përfitime sociale, sepse njerëzit ndërveprojnë, krijojnë kontakte dhe ndihen pjesë e një komuniteti.
A është tenisi më i shëndetshëm se sportet e tjera?
Studimet sugjerojnë se tenisi mund të jetë ndër sportet më të mira për shëndetin. Në vitin 2016, një ekip i drejtuar nga Universiteti i Oksfordit analizoi të dhënat e më shumë se 80 mijë të rriturve gjatë një periudhe nëntëvjeçare, duke krahasuar ndikimin e sporteve me raketë, notit, aerobisë, çiklizmit dhe futbollit.
Rezultatet, të publikuara në British Journal of Sports Medicine, treguan se personat që luanin sporte me raketë kishin 47 për qind më pak gjasa të vdisnin nga çdo shkak, krahasuar me ata që nuk bënin aktivitet fizik. Ata kishin gjithashtu 56 për qind më pak gjasa të vdisnin nga sëmundje kardiovaskulare, përfshirë goditjen në tru.
Në krahasim, vrapimi dhe futbolli nuk treguan lidhje me ulje të rrezikut për vdekje të hershme, ndërsa vrapimi, çiklizmi dhe futbolli nuk shfaqën mbrojtje të ngjashme ndaj sëmundjeve kardiovaskulare.
Një tjetër studim, i kryer në Danimarkë gjatë 25 viteve, zbuloi se lojtarët e tenisit jetonin mesatarisht 9.7 vite më gjatë se personat që nuk ushtroheshin fare. Kjo shifër ishte më shumë se trefishi i përfitimit të vërejtur te vrapuesit dhe mbi gjashtë herë më e lartë se ajo e personave që ushtroheshin rregullisht në palestër.
Përfitimet e tjera shëndetësore
Trajneri Dan Roberts thotë se përfitimet e tenisit varen nga objektivi i secilit, por ato mund të përfshijnë rënie në peshë, ulje të tensionit të gjakut, forcim të kockave dhe përmirësim të gjendjes fizike.
Ndeshjet e rregullta ndihmojnë në shkathtësi, reflekse, koordinim sy-dorë, lëvizshmëri, forcë dhe përgatitje aerobike e anaerobike. Përtej aspektit fizik, tenisi mund të ndikojë pozitivisht edhe në shëndetin mendor, pasi ndihmon në uljen e stresit, nxit ndërveprimin social dhe rrit vetëbesimin përmes mësimit të një aftësie të re.
Roberts thekson se sporti, veçanërisht për meshkujt, mund të jetë një mënyrë e mirë për të krijuar rrjete mbështetëse dhe për të folur me të tjerët. Sipas tij, përmes tenisit njeriu mëson si reagon trupi nën presion dhe përjeton një ndjesi shpërblimi që vjen nga përpjekja reale, jo nga kënaqësitë e shpejta të rrjeteve sociale.
A është padel apo pingpongu po aq i dobishëm?
Edhe pse Robert Neal trajnon gjithashtu padel, sportin me raketë që po rritet më shpejt në botë, ai beson se tenisi ofron përfitime më të gjera për shëndetin. Sipas tij, tenisi është më i vështirë për t’u mësuar, por përfitimet e përgjithshme janë më të mëdha.
Roberts e përshkruan tenisin si një nga format më të plota të aktivitetit fizik, krahas baletit dhe Muay Thai-t. Ai shton se pingpongu mund të ofrojë disa përfitime të ngjashme, sidomos për reflekset, koordinimin sy-dorë dhe stimulimin mendor, por nuk e zëvendëson plotësisht tenisin tradicional.
Arsyeja kryesore është se, në pingpong, lëvizja është shumë më e kufizuar. Për shumicën e njerëzve, kjo do të thotë më pak përfitime për rënien në peshë dhe shëndetin kardiovaskular, përveçse nëse luhet në nivel shumë të lartë.
Sa shpesh duhet luajtur tenis?
Sipas ekspertëve, për të parë përfitime të dukshme, një person mesatar duhet të synojë të luajë tenis dy deri në tri herë në javë. Një herë në javë mund të mos mjaftojë për të përparuar teknikisht, ndërsa pesë herë në javë mund të rrisë rrezikun për dëmtime.
Roberts, i cili stërvit edhe lojtarë të turit ATP, thotë se dy seanca në javë janë zakonisht të mjaftueshme që njerëzit të shohin përmirësim. Pas rreth tetë seancash, shumë fillojnë të ndiejnë se po shërbejnë më mirë, po godasin më saktë dhe po kuptojnë lojën, gjë që i motivon të vazhdojnë.
Rreziqet dhe gabimi që duhet shmangur
Ekspertët e shëndetit të kyçeve paralajmërojnë për të ashtuquajturin “Efekti Wimbledon”, një rritje e parashikueshme e dëmtimeve te lojtarët amatorë gjatë periudhës së turneut të famshëm. Gabimi më i madh është rikthimi i menjëhershëm në ndeshje intensive pas muajsh pa aktivitet fizik.
Dëmtimet në tenis janë të zakonshme për shkak të lëvizjeve të përsëritura, ndryshimeve të papritura të drejtimit dhe ndikimit të fushave të forta. Edhe fusha me bar, për shkak të rrëshqitjes, mbart rreziqe të veta.
Sipas Wimbledon Physiotherapy Sports Injuries Clinic, problemet më të shpeshta janë dhimbjet e shpatullave dhe “bërryli i tenistit”, i njohur mjekësisht si epikondilit lateral. Ky është një dëmtim nga mbingarkesa, që ndodh kur tendinat e parakrahut inflamohen ose dëmtohen, duke shkaktuar dhimbje në pjesën e jashtme të bërrylit.
Rrezik paraqesin edhe dëmtimet e gjurit dhe kyçit të këmbës. Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë nxehje graduale, shmangie të ndeshjeve të gjata ose ditëve të njëpasnjëshme kur sapo riktheheni në fushë, si dhe ushtrime forcimi e lëvizshmërie për të mbrojtur kyçet.
A ka persona që duhet të tregojnë kujdes?
Ekspertët thonë se tenisi është i përshtatshëm për mosha, forma trupore dhe nivele të ndryshme fizike, sepse intensiteti mund të përshtatet. Për ata që kërkojnë më shumë djegie kalorish, Neal rekomandon “cardio tennis”, një version më intensiv me ushtrime, ritëm të lartë dhe shpesh me muzikë.
Në ndeshjet e zakonshme, intensiteti mund të ulet ose rritet sipas nevojës. Ndryshe nga futbolli, që zakonisht është me ndikim të lartë, tenisi teorikisht mund të luhet për aq kohë sa personi është aktiv dhe i aftë të lëvizë. Disa klube kanë edhe lojtarë në të 80-at, të cilët luajnë për mirëqenie të përgjithshme dhe ndërveprim social.
Megjithatë, personat me anginë të paqëndrueshme duhet të tregojnë kujdes, për shkak të shpërthimeve të shpejta të lëvizjes që karakterizojnë tenisin. Edhe ata me osteoporozë të avancuar duhet të jenë të kujdesshëm, pasi ndryshimet e shpeshta të drejtimit bëjnë që kockat dhe kyçet të përthithin shumë goditje. /GazetaExpress/