Një dozë e vetme e psilocibinës, përbërësi aktiv që gjendet te të ashtuquajturat “kërpudha magjike”, mund të ndihmojë personat e varur nga kokaina të ndërpresin ciklin e përdorimit, sugjeron një studim i ri.
Përdorimi global i kokainës arriti nivele rekord në vitin 2023, ndërsa gjatë pandemisë numri i përdoruesve u rrit ndjeshëm. Në Britani, kokaina mbetet një nga drogat ilegale më të përdorura, e dyta pas kanabisit.
Aktualisht nuk ka medikamente të miratuara për trajtimin e varësisë nga kokaina apo çrregullimeve të tjera që lidhen me përdorimin e stimulantëve. Mbështetja kryesore për përdoruesit mbetet terapia njohëse-sjellore, një formë psikoterapie që synon ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve të dëmshme.
Vitet e fundit, substanca halucinogjene si psilocibina kanë treguar potencial në trajtimin e disa problemeve të shëndetit mendor, përfshirë varësinë nga alkooli dhe duhani. Tani, hulumtuesit thonë se ajo mund të ofrojë shpresë edhe për personat e varur nga kokaina.
Studimi i ri, i publikuar në JAMA Network Open, ndoqi për rreth gjashtë muaj 40 përdorues të kokainës në Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në dy grupe: njëri mori një dozë të vetme psilocibine, ndërsa tjetri mori një antihistaminik placebo. Të dy grupet u mbështetën nga terapistë të licencuar.
Rezultatet treguan se personat që morën psilocibinë kishin më shumë gjasa të qëndronin larg kokainës sesa ata që morën placebo. Për t’u përfshirë në studim, pjesëmarrësit duhej të ishin mbi 25 vjeç, të kishin përdorur kokainë të paktën katër ditë gjatë muajit të fundit dhe të kishin dëshirë për ta ndërprerë përdorimin.
Nga studimi u përjashtuan personat që trajtoheshin me antidepresantë për çrregullime të tjera të humorit, ata me tension të lartë të gjakut ose me histori të çrregullimit bipolar.
Para nisjes së fazës kryesore, pjesëmarrësit iu nënshtruan deri në pesë seancave psikoterapie dhe duhej të qëndronin shtatë ditë pa kokainë. Më pas, gjatë një seance të plotë ditore, ata morën psilocibinë ose placebo në formë kapsule, e ndjekur nga pesë seanca të tjera terapie. Vlerësimet pasuese u kryen 90 dhe 180 ditë pas seancës së fundit terapeutike.
Sipas studiuesve, personat që morën psilocibinë së bashku me psikoterapi kishin më pak gjasa të riktheheshin te përdorimi i kokainës dhe kishin më shumë ditë pa drogë.
Autori kryesor i studimit, dr. Peter Hendricks nga Universiteti i Alabamës, tha se gjetjet janë veçanërisht të rëndësishme në një kohë kur vdekjet nga mbidozat që përfshijnë stimulantë janë në rritje në SHBA.
Vdekjet e lidhura me kokainën po shtohen edhe globalisht, ndërsa personat e varur shpesh e kanë shumë të vështirë të kontrollojnë sjelljet impulsive. Ndryshe nga kokaina, psilocibina nuk vepron mbi të njëjtët receptorë, por ndryshon gjendjen e vetëdijes, zakonisht gjatë një seance të kontrolluar terapeutike. Ideja është se kjo gjendje e ndryshuar mund të ndihmojë përdoruesit të fitojnë një këndvështrim të ri dhe të ndryshojnë sjelljen.
“Këto gjetje mund të përbëjnë një hap të rëndësishëm në trajtimin e çrregullimit të përdorimit të kokainës, një gjendje për të cilën nuk ka farmakoterapi të miratuara dhe ku ndërhyrjet psikosociale janë të kufizuara”, tha dr. Hendricks.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se duhen më shumë studime. Përfaqësimi i grupeve vulnerabël në prova të mëparshme ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm, sidomos pasi të dhënat tregojnë se përdorimi i kokainës lidhet ngushtë me dënimet penale dhe rikthimin në vepra penale. Kjo është veçanërisht e dukshme te burrat me të ardhura të ulëta dhe me ngjyrë në SHBA, të cilët përbënin shumicën e pjesëmarrësve në këtë studim.
Ekspertët që komentuan gjetjet thanë se rezultatet vijnë në një moment kritik, mes krizës së mbidozave dhe problemeve të shëndetit mendor. Megjithatë, profesoresha Erin Bonar, psikologe klinike e licencuar, theksoi se trajtimet e reja duhet të jenë efektive jo vetëm për varësinë, por edhe për depresionin, një simptomë e zakonshme gjatë tërheqjes nga kokaina. Sipas saj, ky studim nuk e provon ende këtë.
Ajo shtoi se duhet kujdes i madh në përdorimin e psilocibinës si trajtim të mundshëm, për të shmangur rritjen e përdorimit të pakontrolluar të substancave psikedelike dhe efektet e padëshiruara te njerëzit vulnerabël që kërkojnë ndihmë.
Kokaina mbetet një nga drogat ilegale më të përdorura në Britani, pavarësisht reputacionit si “drogë feste” e klasës së mesme. Në realitet, ajo përdoret në të gjitha shtresat shoqërore dhe ekonomike.
Ajo konsiderohet gjithashtu një nga shkaktarët kryesorë të vdekjes së papritur kardiake. Studimet tregojnë se kombinimi i kokainës me alkool mund ta rrisë rrezikun deri në 25 herë. /GazetaExpress/