KF Llapi ka dalë me një reagim zyrtar pas deklaratave dhe komenteve të fundit në publik dhe media, duke sqaruar se klubi ka një strukturë të qartë drejtuese dhe se vetëm përfaqësuesit e autorizuar kanë të drejtë të flasin në emër të tij.
Klubi thekson se çdo deklaratë apo koment individual nga persona të paautorizuar nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të KF Llapit dhe nuk duhet të lidhet me emrin e klubit.
Ky reagim nga Llapi vjen pas komenteve në rrjetet sociale nga vëllai i Tahir Batatinës dhe Beqir Batatinës, Amrush Batatina, i cili pati një përplasje publike me vëllain e presidentit të Ballkanit Astrit Kabashit, Bali Kabashin.
Ata e akuzuan njëri-tjetrin për shit-blerje të ndeshjeve në Superligën e Kosovës.
Po ashtu, Llapi u ka bërë thirrje mediave, portaleve dhe televizioneve që të jenë të kujdesshme dhe të shmangin publikimin e deklaratave të individëve që nuk janë pjesë e strukturave zyrtare, për të parandaluar dezinformimin e opinionit publik.
Në reagim sqarohet gjithashtu se klubi nuk mund të ndalojë shprehjen e mendimit personal të askujt, por çdo qëndrim i tillë mbetet individual dhe nuk përfaqëson klubin.
KF Llapi ka bërë të ditur edhe përfaqësuesit e tij zyrtarë, ku bëjnë pjesë: Beqir Batatina (kryetar), Bahri Ademi (nënkryetar), Tahir Batatina (drejtor gjeneral), Shahin Blakçori (drejtor për diasporë), Muhamet Batatina (drejtor menaxhues), Muhamet Rexhepi (menaxher i ekipit/sekretar) dhe Petrit Miftari (zyrtar për marrëdhënie me publikun).
Në fund, klubi paralajmëron se çdo keqpërdorim i emrit të KF Llapit apo atribuim i deklaratave të rreme mund të pasohet me masa ligjore, duke theksuar përkushtimin ndaj korrektësisë, transparencës dhe respektit ndaj opinionit publik./GazetaExpress/