Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, ka vendosur për hapin e radhës në karrierën e tij pas largimit nga “Old Trafford” në janar.
Ai nuk do të marrë menjëherë një skuadër të re, por planifikon të marrë një pauzë gjatë sezonit 2026-27.
Sipas “A Bola”, trajneri 41-vjeçar ka një plan të qartë: të shfrytëzojë këtë periudhë për zhvillim profesional, duke studiuar futbollin elitar dhe duke përmirësuar aftësitë e tij si trajner.
Pavarësisht interesimit nga klube të ndryshme në Evropë, përfshirë edhe nga Premierliga, ai nuk ka ndërmend të nxitojë drejt një projekti të ri.
Gjatë kësaj kohe, Amorim planifikon të udhëtojë dhe të kalojë kohë me trajnerë të nivelit të lartë për të shkëmbyer ide dhe për të analizuar metoda taktike të ndryshme – një praktikë e zakonshme mes trajnerëve elitarë.
Karriera e tij ka qenë shumë e shpejtë, duke kaluar nga Casa Pia te Braga dhe më pas te Sportingu, përpara se të merrte drejtimin e Manchester Unitedit pa pasur një pushim të gjatë.
Sa i përket të ardhmes, një rikthim në futbollin portugez nuk është në planet e tij, pavarësisht lidhjes së fortë me Benficën si ish-lojtar dhe tifoz, si dhe suksesit të madh me Sporting.
Vetëm një ofertë shumë e madhe ose prestigjioze nga jashtë mund ta bëjë të ndryshojë mendim dhe të ndërpresë këtë pushim të planifikuar./GazetaExpress/