Milani dhe Juventusi ndanë pikët në një barazim pa gola në “San Siro”, duke regjistruar përballjen e katërt pa gola në pesë ndeshjet e fundit mes tyre në Serie A.
Dy gjigantët italianë hynë në këtë ndeshje me synimin për të përforcuar pozitat e tyre në luftën për vendin e dytë pas Interit dhe për të siguruar sa më shpejt kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, siç ndodh shpesh në këtë duel, rastet për gol ishin të pakta.
Adrien Rabiot provoi nga distanca, por u ndal nga Michele Di Gregorio.
Juventusi mendoi se kishte kaluar në avantazh kur Khephren Thuram shënoi pas asistit të Francisco Conceicao, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Conceição ishte ndër më aktivët për “Bianconerët”, duke detyruar Mike Maignan në disa pritje të rëndësishme.
Nga ana tjetër, rasti më i mirë për Milanin erdhi kur Rafael Leao asistoi për Alexis Saelemaekers, por goditja e këtij të fundit përfundoi në traversë.
Juventusi kërkoi edhe një penallti pas një dueli mes Jonathan David dhe Matteo Gabbia, por gjyqtari nuk reagoi.
Në fund, Milani pësoi edhe një goditje kur Luka Modric u detyrua të largohej i dëmtuar pas një përplasjeje me Manuel Locatelli.
Barazimi ruan situatën në renditje, me Milanin dhe Juventusin që mbeten respektivisht në vendin e tretë dhe të katërt.
Rezultati konsiderohet disi më pozitiv për skuadrën e Massimiliano Allegrit, e cila ruajti diferencën prej gjashtë pikësh ndaj vendit të pestë që mbahet nga Como.
Pas këtij barazimi, Milani shkon në kuotën e 67 pikëve në vendin e tretë, derisa Juventusi shkon në 64, në vendin e katërt./GazetaExpress/