Sulmi kibernetik ndaj zyrtarëve të lartë gjermanë, dyshime për përfshirjen e Rusisë! Si arritën hakerat të depërtonin edhe në “Signal” - Gazeta Express
string(130) "sulmi-kibernetik-ndaj-zyrtareve-te-larte-gjermane-dyshime-per-perfshirjen-e-rusise-si-arriten-hakerat-te-depertonin-edhe-ne-signal"

Lajme

Gazeta Express

26/04/2026 22:45

Sulmi kibernetik ndaj zyrtarëve të lartë gjermanë, dyshime për përfshirjen e Rusisë! Si arritën hakerat të depërtonin edhe në “Signal”

Lajme

Gazeta Express

26/04/2026 22:45

Ka marrë përmasa serioze në Gjermani një çështje që lidhet me sulme kibernetike ndaj telefonave celularë të zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë kryetaren e Bundestagut, ministra dhe deputetë.

Shërbimet gjermane të inteligjencës po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së Rusisë në një sulm kibernetik ndaj telefonit celular të kryetares së Bundestagut, Julia Klöckner, nga radhët e Kristian-Demokratëve. Sipas raportimeve mediatike, llogaria e saj në aplikacionin e koduar të mesazheve Signal është komprometuar përmes një sulmi të synuar phishing (mashtrim për vjedhje të të dhënave).

Rasti konsiderohet veçanërisht i ndjeshëm, pasi përmes Signal, Klöckner dyshohet se komunikonte me drejtuesit e CDU-së si dhe me kancelarin Friedrich Merz. Nga ana e tij, zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Sebastian Hille, deklaroi në një konferencë për shtyp se qeveria gjermane nuk bën publike mënyrat e komunikimit ndërmjet anëtarëve të saj.

Sipas revistës Der Spiegel dhe agjencisë gjermane të lajmeve DPA, përveç kryetares së parlamentit, edhe ministrja e Arsimit Karin Prien (CDU) dhe ministrja e Infrastrukturës Verena Hubertz (SPD) dyshohet se kanë rënë viktimë e sulmeve të ngjashme kibernetike.

Zëdhënës të ministrive përkatëse refuzuan të komentojnë mbi këto raportime, pas një kërkese nga rrjeti publik ARD. Ndërkohë, burime mediatike flasin edhe për sulme ndaj telefonave celularë të deputetëve nga radhët e Socialdemokratëve dhe partisë së Majtë.

Bisedat parlamentare në Signal të pambrojtura

Sipas ARD-së, autorët e sulmeve janë paraqitur si pjesë e ekipit të mbështetjes teknike të Signal, duke u kërkuar viktimave të mundshme kodin PIN. Pasi viktimat përgjigjeshin, sulmuesit fitonin akses në mesazhet, dokumentet dhe fotot e shpërndara në këtë aplikacion.

Ndërkohë, Zyra Federale për Sigurinë e Komunikimeve, që i përket Ministrisë së Brendshme gjermane, ka publikuar në faqen e saj udhëzime për të identifikuar nëse dikush ka rënë pre e përgjimit në Signal dhe çfarë duhet shmangur.

Sipas portalit tagesschau.de, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës u ka dërguar një letër grupeve parlamentare, ku theksohet se “ekziston mundësia që mesazhet e shkëmbyera përmes Signal brenda parlamentit të jenë aktualisht të lexueshme nga autorët e sulmeve kibernetike”.

Qeveria gjermane besohet se ndan vlerësimin se pas këtyre sulmeve qëndron Rusia. Viktimat e identifikuara janë informuar për rrjedhjen e të dhënave dhe kanë çaktivizuar pajisjet e komprometuara. Paralelisht, paralajmërime të ngjashme janë shpërndarë edhe për punonjësit e mediave publike gjermane.

Prokuroria Federale, e cila po heton çështjen, kishte paralajmëruar që në muajin shkurt për një fushatë të gjerë spiunazhi kibernetik që synon politikanë, ushtarakë dhe gazetarë, me indicie që çojnë drejt Moskës si koordinatore e këtyre aktiviteteve të paligjshme. /Panorama

Advertisement
Advertisement
Advertisement