28 prilli është data kur përfundon afati kushtetues që Kuvendi i Kosovës të zgjedh Presidentin/e, në rast se dështon vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Më 4 prill, partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dështoi të zgjedh Presidentin, pasi nuk i kishte 80 deputetë në sallë të kërkuar për të konsumuar raundin e parë dhe të dytë, më pas në raundin e tretë nevojitet shumica e thjeshtë për të votuar Presidentin.
Pas asaj, Vjosa Osmani kishte lëshuar dekret nga zyra e presidentes ku e shpërndante Kuvendin, por për këtë Lëvizja Vetëvendosje pyeti Gjykatën Kushtetuese, e cila dha 34 ditë kohë për të zgjedhur Presidentin.
Kjo kohë kalon, të martën – teksa ditëve të fundit zhvillimet janë intensifikuar.
Të premten e 24 prillit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti doli me një video-incizim ku akuzonte dy partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (PDK), që sipas Kurtit “kanë bllokuar zgjedhjen e Presidentit”.
Kurti kishte thënë metaforikisht se PDK e LDK nuk i kanë nënshkriemt “as për të aplikuar për President”, referuar procedurës së 30 nënshkrimeve për të qenë kandidat për president.
“Nuk iu ka dhënë populli o vlla”, kishte thënë Kurti, duke e përforcuar akuzat ndaj opozitës, ai kishte shtuar se “PDK e LDK po sillen si Fatmir Limaj”, referuar takimeve që Kurti i kishte me kreun e NISMA Socialdemokrate gjatë bllokadës së vitit 2025 – të cilat rezultuan pa sukses për marrëveshje.
Por, përkundër se Kurti deklaronte se PDK dhe LDK nuk kanë numra, të shtunën e 25 prillit Lëvizja Vetëvendosje doli me një propozim të ri, duke kërkuar nga PDK dhe LDK tre emra jopartiakë dhe njërin prej tyre të zgjedhin President.
Po atë ditë, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku iu përgjigj propozimit, duke thënë se “mund të propozojnë Vjosa Osmanin nëse LVV i ka 66 vota për të”.
“LDK-ja i ka 15 vota, duhen 66 të VV-së”, kishte thënë Abdixhiku.
Ndonëse, Albin Kurti nuk i është përgjigjur këtij kundër-propozimi të LDK-së, eksponentë të këtij subjekti politik besojnë se Vjosa Osmani nuk i plotëson kriterët që LVV i ka menduar kur ka kërkuar emra jopartiakë.
E fundit që ka reaguar është shefja e Grupit Parlamentar të LVV, Arbërie Nagavci e cila ka deklaruar se “akoma po presin emra konkretë nga dy partitë opozitare”.
“Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, ka shkruar ndër tjerash Nagavci në Facebook të dieën e 26 prillit.
Por, dy deputetët e LDK-së Jehona Lushaku dhe Besian Mustafa, të dielën pyetën pushtetin nëse i kanë 66 vota për Vjosa Osmanin.
Më parë ka reaguar edhe deputeti tjetër i LDK-së Avdullah Hoti, i cili tha se janë dy ditët vendimtare, ku ose zgjedhet Presidenti apo mandati i kthehet deputetëve. /Gazeta Express