Shkencëtarët kanë krijuar nëndetësen më të shpejtë në botë – një mjet futurist që po quhet “supermakina nënujore”.
E quajtur Super Sub, kjo nëndetëse elegante është projektuar nga kompania U-Boat Worx dhe përfaqëson një hap të ri në eksplorimin luksoz të detit.
Me një çmim rreth 4 milionë euro, ajo është nëndetësja private më e shpejtë në botë, duke arritur shpejtësi deri në 9 nyje (rreth 16–18 km/h), afërsisht sa një delfin.


Super Sub mund të transportojë tre persona dhe të zhytet deri në 300 metra thellësi. Pas përfundimit të testeve intensive në det, ajo pritet të përdoret së shpejti në jahte luksoze të miliarderëve.
Një nga veçoritë më të veçanta është aftësia për t’u ngjitur dhe zbritur me kënde deri në 45 gradë, duke i lejuar të lëvizë me lehtësi në terrene të ndërlikuara nënujore. Me një rreze veprimi deri në 10 milje detare, ajo kombinon shpejtësinë me mundësi të zgjeruara eksplorimi.
Gjatë testimeve pranë ishullit Curaçao, inxhinierët vlerësuan performancën, sigurinë dhe manovrueshmërinë. Sistemet përfshijnë sonar që skanon vazhdimisht fundin e detit dhe rregullon automatikisht drejtimin, si dhe sisteme rezervë për jetesë dhe kontroll.
Kompania thekson se përvoja e drejtimit është e ngjashme me “fluturimin nën ujë”, falë përdorimit të forcës hidrodinamike që siguron lëvizje të butë dhe të qëndrueshme.



Në aspektin e sigurisë, nëndetësja është e pajisur me:
sistem mbijetese deri në 96 orë,
bojë sigurie për lokalizim në sipërfaqe,
sistem automatik që parandalon tejkalimin e thellësisë maksimale.
Brenda saj, një kupolë transparente akrilike ofron pamje panoramike 360°, duke i dhënë pilotit dhe pasagjerëve një përvojë të plotë vizuale të botës nënujore.
E themeluar në vitin 2005, U-Boat Worx synon që këtë mjet ta përdorë si pjesë të programeve të jahteve luksoze ose si platformë të pavarur eksplorimi.
Falë shpejtësisë së saj, përdoruesit mund të mbulojnë zona më të mëdha gjatë një zhytjeje, duke ruajtur njëkohësisht saktësinë për eksplorimin e shkëmbinjve, reef-eve dhe anijeve të mbytura.
Dorëzimi për pronarin e parë pritet të ndodhë brenda pak javësh, duke shënuar një epokë të re për eksplorimin privat të thellësive të oqeanit. /GazetaExpress/