Një fizikane ka paraqitur një teori shkencore që sfidon mënyrën se si e kuptojmë ndërgjegjen — dhe që, sipas saj, mund të ndihmojë në shpjegimin e fenomeneve si përvojat pranë vdekjes, telepatia dhe madje jeta pas vdekjes.
Sipas prof. Maria Strømme, eksperte e nanoteknologjisë në Universitetin e Uppsala-s në Suedi, ndërgjegja nuk prodhohet nga truri i njeriut, siç besohet zakonisht. Ajo pretendon se ndërgjegja ekziston si një fushë themelore e universit — një strukturë bazë, po aq themelore sa graviteti apo energjia.
Nëse kjo teori është e saktë, atëherë ndërgjegja nuk zhduket kur ndalojnë funksionet e trupit. Përkundrazi, ajo “kthehet” në fushën universale nga e cila ka ardhur.
“Ne kemi neglizhuar mundësinë që ndërgjegja të jetë element themelor i natyrës, por kjo po ndryshon shpejt,” tha Strømme për Daily Mail. “Nuk është më një debat filozofik në periferi — po bëhet domosdoshmëri shkencore.”

Një univers i ndërtuar mbi ndërgjegjen?
Në teoritë tradicionale të fizikës kuantike, grimcat dhe energjia burojnë nga dridhjet e fushave themelore. Strømme propozon që ajo fushë mund të jetë vetë ndërgjegja.
Sipas saj, vetëdija individuale është një “valë” brenda një oqeani më të madh të vetëdijes.
“Valët kanë formë të përkohshme, por uji nuk zhduket kur ato shuhen,” shpjegon ajo. “Ashtu edhe ndërgjegja njerëzore.”
Kjo do të thotë se ndarja midis individëve mund të jetë vetëm iluzion, ndërsa thelbi i ndërgjegjes është i përbashkët.
Pasojat: nga telepatia tek jeta pas vdekjes
Nëse ndërgjegja nuk është e kufizuar brenda trurit, atëherë disa përvoja të raportuara, të konsideruara deri tani si parashkencë, mund të kenë bazë fizike dhe duhen testuar.
– Telepatia dhe “komunikimi mendor”
– Intuicionet apo ndjesitë e forta emocionale
– Përvojat pranë vdekjes (NDE)
– Paraqitjet e të afërmve të ndjerë
– Vizionet shpirtërore në momente kritike
Sipas studiueses, në çaste kur truri është i dëmtuar, i mangët me oksigjen ose nën stres ekstrem — si gjatë arrestimit kardiak — ai mund të lejojë “akses të pazakontë” në këtë fushë të ndërgjegjes.
Nëse teoria është e vërtetë, ajo sugjeron se meditimi, lidhja emocionale, lutja apo gjendjet e ndërgjegjes së ndryshuar mund të sinkronizojnë aktivitetin e trurit midis individëve — diçka që mund të testohet me skanime neurologjike.

Eksperiencat pranë vdekjes — çfarë shohin njerëzit?
Studime të fundit me persona që kanë qenë klinikisht të vdekur për disa minuta tregojnë përvoja të përsëritura:
figura fetare si Jezusi
një “dritë e madhe” ose energji hyjnore
kopshte, natyrë ose peizazhe të qeta
të afërm të ndjerë që “i presin”
tunele errësire me dritë në fund
ndjesinë e daljes nga trupi
“matrica” apo hapësira shumëdimensionale
engjëj, qeniesh shpirtërore, udhërrëfyes
vizione të së ardhmes ose të kaluarës
Shumë e përshkruajnë përvojën si paqe absolute, dashuri të pakushtëzuar ose ndarje nga trupi fizik.
Nga religjioni te shkenca moderne
Strømme vëren se koncepti i ndërgjegjes së përbashkët përmendet në tekstet e mëdha fetare — Bibla, Kurani, Vedat — ndërsa disa nga fizikantët e parë kuantikë arritën në ide të ngjashme përmes shkencës.
“Tani është koha që shkenca bashkëkohore ta studiojë seriozisht këtë,” thotë ajo.
Shkenca ende kërkon prova
Shumë shkencëtarë mbeten skeptikë dhe paralajmërojnë se teoria ka nevojë për testime të rrepta eksperimentale. Deri tani, nuk ka prova përfundimtare që ndërgjegja ekziston jashtë trurit.
Por Strømme thotë se kërkimet afatgjata neurologjike, eksperimentet me rezonancë funksionale dhe matjet kuantike të fushave mund ta vërtetojnë ose rrëzojnë teorinë në vitet e ardhshme. /GazetaExpress/
Next to Vala Mar Premium, projekti që po transformon bregdetin shqiptar dhe vlerën e investimit në Adriatik, 50% e...