Nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, të mërkurën u bë promovimi i librit “Gjurmëve 55-vjeçare të Klubit Hendbollistik ‘Vjosa’”, të autorit Banush Imeri.
Libri përshkruan historinë 55-vjeçare të klubit dhe nga të pranishmit u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sportive në këtë qytet.
Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari Qemajl Aliu, i cili e uroi për librin autorin, duke shtuar se ky libër është tërheqës dhe mbresëlënës.
Ai më tej shtoi se autori i librit i ka qëndisur klubit hendbollistik “Vjosa” një kurorë.
Në prononcimin e tij për media ish-ndihmësi i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hasani, tani Këshilltari i jashtëm i Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, ka theksuar se libri i profesorit e shkrimtarit Banush Imeri, është libër i cili përveç nderimit që ia bënë sportistëve ndër vite është edhe trashëgimia më e mirë informuese që e kanë brezi i sportistëve të rijnë e që shërben si motiv që asnjë sportist të mos i ndal përpjekjet e angazhimet e tij drejt suksesit.
Fjalën e mori edhe vetë autori i librit, Banush Imeri, i cili falënderoj komunën e Shtimes për mbështetjen duke shtuar se do të punojë edhe për librin e dytë dhe të tretë për “Vjosën”, raporton EO.