Interi e mposht Juventusin me një paraqitje mbresëlënëse, barazohet me pikë me liderin Milan - Gazeta Express
string(91) "interi-e-mposht-juventusin-me-nje-paraqitje-mbreselenese-barazohet-me-pike-me-liderin-milan"

Interi e mposht Juventusin me një paraqitje mbresëlënëse, barazohet me pikë me liderin Milan

Futboll

Gazeta Express

17/01/2021 22:45

Interi e ka mposhtur Juventusin 2:0, në atë që ishte fitorja e parë për zikaltrit kundër bardhezinjve që prej shtatorit të vitit 2016 dhe e para për Antonio Conten kundër ish-klubit të tij.

Arturo Vidal dhe Nicoli Barella shënuan për triumfin e parë për Interin pas dy ndeshjeve pa fitore, të dielën në San Siro, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Skuadra e Antonio Contes po vinte nga një humbje tronditëse kundër Sampdorias dhe pas barazimit zhgënjyes me Romën në dy ndeshjet e fundit, dhe triumfi ndaj rivalit të drejtpërdrejt për titull ishte me patjetër për t’u deklaruar si kandidat i vërtetë për titull.

E gjitha nisi mirë për zikaltrit, të cilët e mbizotëruan plotësisht skuadrën e Andrea Pirlos që nga fillimi i takimit.

Vidal e kaloi Interin në epërsi kundër ish-klubit ku i kaloi tri sezone dhe e fitoi titullin në Serie A, pas vetëm 12 minutave lojë, kur shënoi me kokë pas një harkimi fantastik nga Barella.

Juve dështoi të krijojë raste apo ta rrezikojë Interin në pjesën e parë, në të cilën epërsia e zikaltërve ka mundur të ishte shumë më e thellë sikur Lautaro Martinez të shënonte së pari në portën e zbrazët pas një topi të kthyer dhe më vonë kur goditja e tij nga vija e 16-metershit përfundoi jashtë kornizës së portës.

Barella e dyfishoi epërsinë për vendasit duke e bombarduar portën e vizitorëve pas një asistimi të mrekullueshëm nga Bastoni, i cili e zuri në gjumë tërë ekipin e Juves me një top të gjatë që ia dha atij.

Pirlo i bëri tri zëvendësime menjëherë pasi skuadra e tij e pësoi golin e dytë, duke i futur në lojë Dejan Kulusevskin, Weston McKennien dhe Federico Bernardeschin, në vend të Aaron Ramsey, Adrien Rabiot dhe Gabriele Frabotta, përkatësisht.

Por ai e humbi betejën ndaj ish-trajnerit të vet, Contes, pasi mbizotërimi i zikaltërve vazhdoi edhe më vonë.

Pavaresisht përpjekjeve dhe rasteve të pastra, Interi nuk qe në gjendje të shënonte më por fitoren e pati të sigurt.

Kjo fitore bën që Interi të barazohet me pikë me liderin dhe rivalin, Milan, i cili, megjithatë, ndeshjen e kësaj jave e zhvillon të hënën kundër Cagliarit.

Juventus, ndërkohë, bie në vendin e pestë, shtatë pikë larg kreut, pas humbjes së dytë këtë sezon. /Gazeta Express/

Golat dhe rastet më të mira të ndeshjes: