José Mourinho vazhdon të mbetet një nga kandidatët kryesorë për ta marrë drejtimin e Real Madridit sezonin e ardhshëm.
Pas një sezoni zhgënjyes për “Los Blancos”, presidenti Florentino Pérez po e kërkon një trajner me eksperiencë dhe personalitet të fortë për ta rikthyer skuadrën në majën e futbollit evropian.
Sipas mediave spanjolle dhe italiane, rikthimi i “Special One” në “Santiago Bernabéu” po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi konkrete, përcjell “Gazeta Express”.
Florentino Pérez konsiderohet si sponsori kryesor i këtij “operacioni” dhe besohet se marrëdhënia e mirë mes tij dhe Mourinhos ka mbetur e fortë edhe pas largimit të portugezit në vitin 2013.
Një element shumë i rëndësishëm në këtë histori janë zgjedhjet presidenciale të Real Madridit.
Vetë Pérez ka konfirmuar se do të kandidojë sërish dhe pritet të rizgjidhet pa rivalë seriozë.
Sipas raportimeve të gazetës “AS”, data 24 maj mund të jetë vendimtare për të ardhmen e klubit dhe potencialisht edhe për njoftimin e trajnerit të ri.
Në favor të Real Madridit është edhe klauzola që Mourinho e ka në kontratën e tij me Benficën.
Trajneri portugez e ka një marrëveshje deri në vitin 2027, por kontrata e përfshin një klauzolë largimi prej rreth 3 milionë eurosh, e vlefshme 10 ditë pas ndeshjes së fundit të sezonit.
Kjo do t’i lejonte madrilenët ta transferonin pa shumë pengesa financiare.
Raportohet se ndeshja e fundit e Mourinhos me Benficën do të jetë më 16 maj kundër Estorilit, ndërsa periudha e aktivizimit të klauzolës do të zgjasë deri më 26 maj — vetëm dy ditë pas rizgjedhjes së mundshme të Florentino Pérezit.
Kjo përputhje datash i ka shtuar edhe më shumë spekulimet për rikthimin e portugezit në Madrid.
Vetë Mourinho i ka shmangur komentet direkte për të ardhmen.
Në konferencat e fundit për shtyp ai deklaroi se nuk ka pasur kontakte me drejtuesit e Real Madridit dhe se deri në fund të sezonit do të fokusohet vetëm te Benfica.
Megjithatë, ai nuk e ka mohuar mundësinë e një rikthimi në të ardhmen.
Mourinho e drejtoi Real Madridin nga viti 2010 deri në 2013, periudhë në të cilën e fitoi La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, ndërsa konsiderohet si trajneri që e riktheu mentalitetin fitues në skuadrën madrilene në epokën moderne. /Gazeta Express