Ancelotti junior flet për gjasat e Neymarit për të luajtur në Botëror - Gazeta Express
string(69) "ancelotti-junior-flet-per-gjasat-e-neymarit-per-te-luajtur-ne-boteror"

Sport

Gazeta Express

13/05/2026 11:58

Ancelotti junior flet për gjasat e Neymarit për të luajtur në Botëror

Sport

Gazeta Express

13/05/2026 11:58

Neymar mund të rikthehet sërish me kombëtaren e Brazilit për Kupën e Botës 2026.

Sulmuesi i Santosit është përfshirë në listën paraprake prej 55 lojtarësh të përgatitur nga trajneri Carlo Ancelotti, duke i mbajtur gjallë shpresat për një rikthim të madh me “Seleção”.

Lajmi është konfirmuar nga Davide Ancelotti, ndihmëstrajneri i Brazilit dhe djali i Carlo Ancelottit, i cili foli për gjendjen aktuale të yllit brazilian.

Ai deklaroi se Neymar është përfshirë në listë sepse gjendja e tij fizike po përmirësohet ndjeshëm javët e fundit.

“Nëse Neymar është në listën paraprake, kjo ndodh sepse gjendja e tij fizike po përmirësohet”, ka thënë Ancelotti junior për mediat braziliane, përcjell “Gazeta Express”.

Neymar mungon me kombëtaren braziliane që nga tetori i vitit 2023, kur e pësoi dëmtimin e rëndë në ligamentet e gjurit gjatë ndeshjes ndaj Uruguait.

Pas një periudhe shumë të vështirë me lëndime dhe probleme fizike, ai u rikthye te Santosi në fillim të vitit 2025, duke tentuar ta rigjejë formën më të mirë.

Sipas raportimeve nga Brazili, trajneri Carlo Ancelotti dëshiron ta vlerësojë gjendjen e lojtarit deri në momentin e fundit para publikimit të listës finale prej 26 futbollistësh, e cila pritet të shpallet më 18 maj.

Në muajt e fundit Neymar ka treguar shenja rikuperimi me fanellën e Santosit.

Sulmuesi i ka zhvilluar disa ndeshje pozitive dhe ka arritur të rikthehet në ritëm gare, edhe pse problemet fizike vazhdojnë të mbeten shqetësimi kryesor për stafin teknik brazilian.

Reuters raportoi se Carlo Ancelotti nuk dëshiron të marrë vendime emocionale dhe se çdo zgjedhje do të bazohet vetëm në formën aktuale dhe gatishmërinë fizike të lojtarit.

Trajneri italian thuhet se e vlerëson eksperiencën dhe cilësinë e Neymarit, por ndërkohë e kërkon një skuadër me intensitet të lartë dhe ekuilibër taktik.

Megjithatë, në Brazil shumë figura të futbollit kanë dalë publikisht në mbështetje të rikthimit të tij.

Edhe emra si Lionel Messi, Casemiro dhe Ronaldinho kanë deklaruar se Neymar mund të jetë ende një armë shumë e rëndësishme për Brazilin në Botërorin 2026.

Nëse përfshihet në listën finale, ky do të ishte Botërori i katërt në karrierën e Neymarit, i cili mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares braziliane. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement