Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se qëllimi i administratës Trump është që teksti i saktë i marrëveshjes me Iranin të publikohet në ditët në vijim, shkruan CNN.
“Mendoj se kur njerëzit ta shohin këtë marrëveshje – shpresojmë ta publikojmë tekstin këtë javë – ata do ta kuptojnë se kjo do ta bëjë të gjithë rajonin më të sigurt”, tha Vance në CNBC.
Që kur SHBA-ja dhe Irani njoftuan se ishte arritur një marrëveshje të dielën, kanë mbetur pyetje rreth përmbajtjes së saktë të planit.
Në intervistë, Vance e cilësoi marrëveshjen si një fitore të madhe për Shtetet e Bashkuara, por pranoi se çështjet më të vështira ende nuk janë zgjidhur. Në vend të kësaj, ai tha se ato do të jenë pjesë e diskutimeve në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
Edhe disa aleatë të Donald Trump kanë vënë në pikëpyetje pse teksti i Memorandumit të Mirëkuptimit nuk është bërë publik.
“Prej ditësh kam pyetur, pse ne, populli, nuk mund ta shohim atë dreq MOU? Jo përmes njerëzve të informuar nga një person anonim. Sinqerisht, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Nëse është një rezultat i mirë për paqen, atëherë publikojeni”, shkroi në X komentatori konservator Mark Levin.
Presidenti shpesh ka shprehur vlerësim për Levin dhe emisionin e tij të fundjavës në Fox News.