Astrit Gjocaj, vëllai i dy invalidëve të luftës, ka reaguar në emisionin “Kosova Live” lidhur me ofendimet e drejtuara ndaj figurave të luftës dhe familjes Jashari, duke thënë se nxitja për sjellje të tilla vjen nga fakti se persona të caktuar më vonë shpërblehen me pozita.
Sipas Gjocajt, kur individët që përdorin gjuhë fyese ndaj njerëzve të luftës avancohen ose përfitojnë pozita, krijohet përshtypja se sjellje të tilla tolerohen dhe madje shpërblehen.
“Këta që po fyejnë dhe shajnë njerëzit e luftës, po e bëjnë sepse e shohin që më pas shpërblehen me pozita”, deklaroi Gjocaj.
Ai përmendi edhe raste që, sipas tij, dëshmojnë se deklaratat fyese ndaj figurave historike dhe kombëtare nuk kanë sjellë pasoja për autorët e tyre.
“Sot një hoxhë që ka thënë se Skënderbeu nuk është hero është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.
Gjocaj theksoi se figurat e luftës mund të kritikohen ose kundërshtohen politikisht, por jo të ofendohen dhe etiketohen me akuza të rënda.
“Njerëzit e luftës mund të kenë bërë gabime politike dhe mund t’i kundërshtosh politikisht. Edhe familjen Jashari, po të ishte pjesë e politikës, mund ta kundërshtoje politikisht. Por nuk ke të drejtë që një ushtar të UÇK-së, që ka sakrifikuar gjithçka për këtë vend, ta quash kriminel, spiun apo bashkëpunëtor të Serbisë”, u shpreh ai.