Problem kosovar: Shumë familje nuk i posedojnë pronat në emrin e tyre – gratë i vuajnë pasojat më së shumti - Gazeta Express
string(104) "problem-kosovar-shume-familje-nuk-i-posedojne-pronat-ne-emrin-e-tyre-grate-i-vuajne-pasojat-me-se-shumti"

Lajme

Sefer Zogaj

15/06/2026 16:15

Problem kosovar: Shumë familje nuk i posedojnë pronat në emrin e tyre – gratë i vuajnë pasojat më së shumti

Lajme

Sefer Zogaj

15/06/2026 16:15

Punon tokën bujqësore 80 ari. I.M, gruaja nga Vitia tregon se përkundër punës nuk mund të aplikojë në subvencione në Ministrinë e Bujqësisë, pasi prona është në një kontest pronësor.

Ky kontest ka një histori të gjatë. Sipas saj kjo pronë ishte në pronësi të një banori serb deri në vitin 1956, pastaj ishte blerë nga gjyshi i saj I.M.

Që nga ajo kohë, toka është punuar nga kjo familje shqiptare, madje edhe në kohën e administratës jugosllave.

“Familja ime e ka punuar tokën gjithmonë, asnjëherë nuk kanë pasur problem me serbët sepse është ditur qartë që toka është blerë”, i ka thënë ajo Gazetës Express.

Ky kontest po trajtohet në procedurë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, teksa familja nuk ka një dëshmi, pasi prona ishte shitur sipas marrëveshjes gojë më gojë. Pa dokumentim.

Kjo është bërë shkak që një person që jeton në Serbi të këmbëngulë që toka i takon të parëve të tij, duke kërkuar që ajo të rishitet. As ky person nuk ka paraqitur dëshmi në Prokurori. Kontakti me të ka qenë i pamundur të realizohet.

Duke qenë që asnjëra palë nuk ka dëshmi juridike, kontesti po vazhdon – toka punohet nga gruaja shqiptare I.M, por me pamundësi të përfitojë subvencione nga shteti.

“Aty mbjellim grurë dhe miser, nuk po mundem të aplikojë në ministri, kjo po më shkakton probleme financiare për të vazhduar punën në pronë”, rrëfen ajo.

I.M nuk e ka të sigurt deri kur mund të mbijetojë duke punuar atë tokë në mungesë të përkrahjes financiare, por shpreson që drejtësia një ditë do t’ia mundësojë asaj ketë një pronë në emër të saj, të cilën thotë se ia trashëgoi gjyshi e më pas babai i saj.

Foto: Gratë nga Kosova në aktivitete bujqësore

“Po tutet i bëjmë punët më mirë se ata” –  gruaja nga Rahoveci tregon si kunati saj nuk po lejon t’i bartet prona në emrin e saj

Rahoveci njihet si komunë kultivuese e shumë produkteve bujqësore, ku punojnë edhe gratë. Por, një grua ka rrëfyer për Gazetën Express se ka problem me çështjen e pronësisë.

Pas vdekjes së të moshuarit të familjes (vjehërrit të saj), prona si e tërë ishte bartur në emrin e vëllait të madh (kunatit të saj), përkundër se tash dy familjet jetojnë në shtëpi të ndara – prona ka mbetur në emër të vëllait të madh.

Sipas M.M, gruaja nga Rahoveci, kunati i saj insiston që meqë është vëllai i madh në familje të ketë gjitha pronat në pronësi, por kjo po i shkakton M.M probleme që të aplikojë për subvencione.

50-vjeçarja thotë se burri i saj punon në Prishtinë, teksa ajo me djalin 18-vjeçar punojnë së bashku tokën 1 hektarëshe, ku mbjellin misër, grurë, pasule, domate, etj.

“I ka thënë burri im, eja folim si burrat – dua t’ia vendosë pronën në emrin gruas meqë ajo po merret me tokën, por ai po na nënçmon”, ka thënë ajo.

M.M tha se kunati pretendon se është “turp” një pronë t’i kalohet një gruaje, referuar normave patriarkale.

“Burri im është i shkolluar dhe e kupton saktë që nuk ka asgjë të keqe, por ai nuk po kupton, po mendon që ne kemi me fitu shumë me grante e kemi me i bë punët më mirë se ata”, rrëfen ajo.

Çështja ka mbetur e pazgjidhur, teksa M.M thotë se po presin edhe një kohë në mirëkuptimin e kunatit të saj, para se rastin ta dërgojnë në institucionet e drejtësisë.

“Burri po nguron sepse nuk po do probleme me vëllain, por nëse vazhdon kështu nuk kam qare pa e dërgu në gjykatë”, ka deklaruar ajo.

Shumë konteste pronësore në Kosovë

Foto: Egzonë Bytyqi, avokate

Sipas avokates Egzonë Bytyqi, rastet kur një pronë përdoret nga një familje, por figuron ligjërisht në emër të një personi tjetër, vazhdojnë të jenë të shpeshta në Kosovë.

Në një prononcim për Gazetën Express, ajo ka thënë ka disa raste kur klientët e saj kanë konteste të tilla.

“Shpesh ndodh që një pronë të përdoret për vite të tëra nga një familje, ndërsa në aspektin juridik të figurojë ende në emër të një personi tjetër”, thotë ajo.

Ajo vlerëson se një nga arsyet kryesore të kësaj situate është mungesa e vetëdijes juridike dhe mosrregullimi me kohë i dokumentacionit pronësor.

“Në shumë raste, ndikojnë edhe sfidat financiare që e bëjnë më të vështirë përfundimin e procedurave formale. Po ashtu, shpesh qytetarët krijojnë bindjen se posedimi faktik i pronës është i mjaftueshëm, duke mos e parë si urgjente regjistrimin zyrtar”, deklaron avokatja.

Ajo thotë se pasojat e kësaj gjendjeje janë veçanërisht të dukshme te gratë që punojnë tokën bujqësore, por nuk figurojnë si pronare të saj.

“Kur gratë punojnë tokën por nuk figurojnë si pronare, ato mbesin pa të drejtat e plota juridike mbi pasurinë. Kjo i kufizon edhe në aspektin ekonomik, pasi nuk mund të përfitojnë drejtpërdrejt nga prona si kredi apo subvencione”, thotë ajo.

Sipas saj, ligji parasheh mundësi për zgjidhjen e rasteve të tilla, por çdo rast duhet të vlerësohet sipas rrethanave konkrete dhe provave që posedojnë palët.

Gratë posedojnë në pronësi vetëm 4.6% të pronave bujqësore

Foto: EKW gjatë aktiviteteve me gra

Organizata EcoKosWomen (EKW) është themeluar në vitin 2019 dhe vepron në fushën e fuqizimit të grave, zhvillimit rural, mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të barazisë gjinore. Organizata punon kryesisht me gratë dhe të rinjtë në zonat rurale, duke synuar krijimin e mundësive ekonomike dhe sociale për komunitetet lokale.

Sipas përfaqësuesës të saj, Danijella Çoça, pavarësisht përparimeve në kuadrin ligjor, gratë në Kosovë vazhdojnë të përballen me vështirësi të konsiderueshme në ushtrimin e të drejtave pronësore, veçanërisht në zonat rurale. Ajo ka thënë për Gazetën Express se pengesat nuk lidhen domosdoshmërisht me mungesën e ligjeve, por me zbatimin e tyre dhe me normat tradicionale që vazhdojnë të ndikojnë në vendimmarrjen familjare.

“Në Kosovë, gratë posedojnë vetëm rreth 4.6 për qind të tokave bujqësore, një tregues shqetësues i pabarazisë gjinore në qasjen ndaj pronës dhe burimeve ekonomike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mungesa e pronësisë ua vështirëson grave qasjen në subvencione, grante, kredi dhe programe të tjera mbështetëse për zhvillimin e aktivitetit bujqësor. Përveç sfidave ligjore, gratë përballen edhe me pengesa sociale dhe kulturore, përfshirë presionin familjar dhe perceptimet tradicionale mbi pronësinë.

Ligje ka, zbatueshmëri të tyre jo 

Foto: Isme Osmani nga PePeKo

Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo) është një organizatë jo-fitimprurëse e themeluar në vitin 2014, e cila përfaqëson interesat e sektorit të përpunimit të pemëve dhe perimeve në vend.

Nga perspektiva e këtij sektori, PePeKo vlerëson se vitet e fundit është shënuar progres në përfshirjen e grave në bujqësi dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat e tyre pronësore dhe trashëgimore. Megjithatë, sipas Isme Osmani, përfaqësuese e shoqatës, sfidat mbeten të dukshme, veçanërisht në zonat rurale ku prona vazhdon të regjistrohet kryesisht në emër të burrave.

“Përkundër sfidave, roli i grave në sektor është shumë i rëndësishëm. Sipas analizës së sektorit të PePeKo-s, 77 për qind e të punësuarve në sektorin e përpunimit të pemëve dhe perimeve janë gra”, thotë shoqata.

Shoqata konsideron se kuadri ligjor në Kosovë ofron garanci të mjaftueshme për barazi në trashëgimi dhe pronësi, por se pengesat kryesore mbeten të natyrës sociale dhe kulturore. Traditat familjare, mungesa e informimit të mjaftueshëm për të drejtat pronësore dhe pjesëmarrja më e kufizuar e grave në vendimmarrje ekonomike vazhdojnë të ndikojnë në regjistrimin e pronës në emrin e tyre.

*Ky artikull është realizuar në kuadër të programit EREA që implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim.

Advertisement
Advertisement
Advertisement