‘Të përgatitemi për një tjetër shpërthim të Covid” Basha prezanton planin me 5 hapa - Gazeta Express
string(81) "te-pergatitemi-per-nje-tjeter-shperthim-te-covid-basha-prezanton-planin-me-5-hapa"

Gazeta Express

29/09/2020 11:16

‘Të përgatitemi për një tjetër shpërthim të Covid” Basha prezanton planin me 5 hapa

Gazeta Express

29/09/2020 11:16

Shqipëria nuk është e përgatitur për një shpërthim tjetër të Covid. Ky është paralajmërimi i Bashës, i cili prezantoi këtë të martë planin e opozitës për parandalimin e krizës dhe pandemisë. Basha deklaroi se është urgjente nevoja për të marrë masa për forcimin e sistemit shëndetësor si dhe kryerja e të paktën 2500 testimeve në ditë. Kryedemokrati gjithashtu deklaroi se të prekurit me Covid që nuk shkojnë në spital paguajnë deri në 1 milionë lekë të vjetra për të blerë ilaçe. Sipas tij qeveria duhet t’i rimbursojë këto barna.

Në lidhje me biznesin Basha propozoi çek 1 mijë euro për biznesin e vogël.

Lexo Edhe:

Basha: Pika katër ka të bëjë me biznesin e vogël, shtylla kurizore e ekonomisë shqiptare, i goditur më rëndë. Për të gjitha bizneset e vogla, një çek prek 1 mijë eurosh. Sa i përket biznesit prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj, dy masa, heqja e taksës së pronës dhe masa e dytë, shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative. Nëse këto masa nuk merren siç kërkojmë me forcë dhe jo thjeshtë rekomandojmë për shkak të papërgjegjshmërisë, atëherë përgjegjësia është e gjitha e qeverisë dhe e kryeministrit për këto 6 muaj që i kanë mbetur.

Basha deklaroi se të gjitha hapat e propozuar nga opozita, të cilat duhet të shtrihen në 6 muajt e ardhshëm, kapin një kosto prej rreth 312 mln eurosh në buxhetin e shtetit.

Basha: Edhe po të mos ishte gjendja e pandemisë, situata e shëndetësisë dhe sitata në ekonomi kërkon masa emergjente, sot më shumë se kurrë, sot më shumë se 3 muaj më parë, se 4 muaj më parë. Ju e mbani mend fare mirë paketën e propozuar atëherë. Kosto e saj shkonte  90 milionë euro, ndërsa masat që ne propozojmë për 6 muajt e ardhshëm përllogariten në 52 milon euro në muaj. Pra, efekti total është afro 312 milionë euro për 6 muajt e ardhshëm, duke nisur nga tetori.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Vendi po përballet me një katastrofë potenciale. Ne kemi një plan me 5 hapa për t’u përballur me krizën. Shumica dërrmuese e banorëve të Tiranës nuk kanë më mundësi të blejnë ushqime më as me lista, pasi dyqanet nuk mund t’i suportojnë më. Ky është një realitet i përditshëm. Konsumi ka rënë në pikiatë, sepse fuqia blerëse ka rënë. Është qesharake shuma prej 101 milionë eurosh të disbursuar nga qeveria për ekonominë. Shumica prej jush e kanë mbuluar gjendjen nga terreni dhe e kanë vënë re se situata është përkeqësuar. Në veçanti është përkeqësuar gjendja e mjekëve, infermierëve e personelit shëndetësor. Personel i cili nuk e ka marrë shumën e premtuar të parave. Ndërkohë ka nisur shkolla. E keni parë që përkon me një tjetër rritje të numrit të të infektuarve dhe po kështu në një mungesë totale masash për t’u përballur me këtë situatë. Ndërkohë sezoni do të ketë të tjera sfida. Kemi dy muaj që kërkojnë vaksinimin e popullsisë për gripin.

As opozita, as PD e as unë nuk i vëmë faj kryeministrit e qeverisë për shpërthimin e pandemisë. Por ne e gjejmë fajtor atë për mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe mosnxjerrjes së mësimeve. Orë të tëra i harxhon me propagandë, kur një pjesë e mirë e qytetarëve vuajnë për gjërat më elementare. Detyra jonë nuk është të prezantojmë vetëm problemet. Jemi këtu për të prezantuar planin e rimëkëmbjes në 5 hapa. Kjo është përgjigja që ne do t’i jepnim situatës nëse do të ishim në drejtim të vendit.

Së pari, mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor për një shpërthim tjetër të Covid, i cili është hartuar nga specialistët më të mirë. Një plan i detajuar nga i cili dua të theksoj,

Rritjen e numrit të testimeve në 2500 në ditë. 35% e testimeve rezultojnë pozitive. Nëse do e kishin bërë 3 muaj apo 6 muaj përpara, nuk do të ishim në këtë situatë.

Përmirësimi i sistemit ambulator për të prekurit. Asgjë që u nevojitet të prekurve me Covid nuk rimbursohet nga shteti, ndaj ne propozojmë rimbursimin.

Rritjen e kapacitete spitalore. Po të shkoni jashtë Tiranës do të shihni se mjekët nuk kanë mjete mbrojtëse. Këtu pajisjet nuk mjaftojnë as për spitalet Covid.

Së fundmi, bonusi i premtuar nga qeveria. Bonusi të jepet për mjekët e infermierët për 6 muajt e ardhshëm. Po p[unojnë në kushte të vështira dhe janë demotivuar nga 6 muaj përpjekje. T’i motiviojmë dhe ta përgatisim për atë që vjen. Prandaj çdo mjek të marrë 1 mijë euro për 6 muajt në rradhë e çdo infermier 500 euro.

PLANI I OPOZITES:

Pika e parë e planit

1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:

a)Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.

b)Reimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.

c)Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

d)Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

Pika e dytë e planit

2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:

a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.

b)Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.

c)Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.

Pika e tretë e planit:

3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:

a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.

b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.

c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.

d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

Pika e katërt e planit:

4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.

Plani i pestë i planit:

5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:

a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.

b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.