Wojciech Szczesny e ka marrë vendimin përfundimtar për ta refuzuar një ofertë nga një klub rival në La Liga, duke zgjedhur ta vazhdojë aventurën e tij te Barcelona, pavarësisht interesimit për t’u bërë titullar në një tjetër ekip të elitës spanjolle.
Portieri polak, i cili u afrua te Barça në rrethana të veçanta, ka vendosur të qëndrojë në “Camp Nou” dhe ta respektojë kontratën e tij, edhe pse e di se roli i tij mund të mbetet dytësor në sezonin e ardhshëm.
Sipas mediumit spanjoll “Mundo Deportivo”, oferta që ai e ka refuzuar ishte një marrëveshje dyvjeçare që do t’ia garantonte statusin e portierit të parë në klubin tjetër, por Szczesny e ka zgjedhur stabilitetin dhe ambientin që e ka krijuar në Barcelonë, përcjell “Gazeta Express”.
Burime pranë klubit theksojnë se vendimi i tij lidhet edhe me kënaqësinë personale dhe familjare në qytetin katalunas, si dhe me faktin se ai ndihet mirë brenda projektit të klubit, pavarësisht konkurrencës së fortë për vendin e titullarit.
Në këtë mënyrë, Barcelona e siguron vazhdimësinë e një portieri me përvojë të madhe ndërkombëtare, i cili ka luajtur më parë te klube të mëdha si Arsenal dhe Juventus, duke sjellë stabilitet në repartin e portës.
Ky vendim e mbyll përfundimisht një tjetër pistë të “merkatos” për Szczesnyn, i cili duket i vendosur ta përfundojë kontratën e tij në Spanjë dhe të mos ndryshojë ambient në këtë fazë të karrierës. /Gazeta Express