Studimi: Dy suplemente diete përmirësojnë kujtesën - Gazeta Express
string(49) "studimi-dy-suplemente-diete-permiresojne-kujtesen"

Studimi: Dy suplemente diete përmirësojnë kujtesën

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

07/03/2024 23:09

Dy suplemente dietike mund të përmirësojnë kujtesën te njerëzit e moshuar, sugjeron një studim i ri.

Studimi, i botuar në revistën “Science Advances”, i kryer te binjakët, zbuloi se konsumi ditor i dy suplementeve, të cilat mund të merren pa recetë, përmirëson gjendjen e florës së zorrëve ose mikrobiomën dhe aftësinë njohëse. Me fjalë të tjera, rezulton se ajo që është e mirë për plakjen e zorrëve mund të jetë e mirë edhe për trurin që plaket.

Lexo Edhe:

Sistemi tretës është i përfshirë në shumë funksione të trupit, duke përfshirë sistemin imunitar dhe sistemin nervor qendror. Shkencëtarët besojnë se ushqyerja e duhur e baktereve me disa prebiotikë dhe ndërhyrjet me probiotikë dhe modifikimi i mikrobiomës mund të hapin derën për trajtimin e një sërë sëmundjesh.

Gjetjet janë veçanërisht interesante pasi studimi përdori të njëjtat teste të kujtesës vizuale dhe të të mësuarit që zakonisht përdoren për të zbuluar shenjat e hershme të Alzheimer. Hulumtimi shqyrtoi efektin e dy prebiotikëve (ushqime të patretshme me fibra bimore) që ndihmojnë në stimulimin e mikrobeve të zorrëve.

Njëri quhet inulin dhe është një fibër diete nga klasa e fruktanit, ndërsa tjetri quhet fruktooligosakarid (FOS) – një karbohidrat bimor që përdoret shpesh si një ëmbëlsues natyral me kalori të ulët.

Për të ekzaminuar efektin e këtyre suplementeve ushqimore në plakjen e trurit, shkencëtarët nga Kolegji Mbretëror në Londër përfshinë në studim 72 persona, ose 36 palë binjake mbi 60-vjeç. Çdo çift u nda rastësisht në një pjesëmarrës që mori prebiotikë në pluhur proteinash dhe tjetri që mori një placebo.

Studimi ishte dyfish “i verbër”, që do të thotë se as mjekët dhe as binjakët nuk e dinin se kush po merrte çfarë. Rezultatet treguan se binjakët që pa e ditur morën inulin ose FOS tre muaj më vonë, në përgjithësi shënuan rezultate më të larta në një test për aftësi njohëse.

Suplementet u shoqëruan edhe me një ndryshim të vogël në mikrobiomën e binjakëve që i konsumuan. Për shembull, bifidobakteret e dobishme ishin më të bollshme te binjakët që merrnin inulin ose FOS.

Pse u krye hulumtimi te binjakët?

Studime të tilla kanë një rol të rëndësishëm në mjekësi, veçanërisht kur duan të përjashtojnë disa faktorë gjenetikë ose mjedisorë në rezultatet e studimeve.

Kur hetohen efektet e të ushqyerit në shëndet, binjakët janë kandidatët më të mirë pasi kanë gjenetikë shumë të ngjashme, janë rritur në kushte të ngjashme me të njëjtët prindër, kanë aftësi të ngjashme njohëse dhe stil jete etj. Për këtë, është më e lehtë të dallohet nëse për disa rezultate të regjistruara janë me të vërtetë për shkak të ndonjë faktori në dietën që po hetohet.

Kolegji Mbretëror në Londër ka potencial të madh për kërkime të tilla pasi ka regjistrin më të madh të binjakëve të rritur në Britaninë e Madhe.

Në hyrje të punimit, autorët shkruajnë se studimet kanë treguar tashmë se ndryshimet stimuluese në mikrobiomën e zorrëve mund të ndryshojnë si fiziologjinë e muskujve ashtu edhe sjelljen njohëse.

“Mikrobioma e zorrëve mund të luajë një rol në rezistencën anabolike të muskujve të moshuar dhe në njohjen,” theksojnë ata.

“Ne jemi të ngazëllyer për të parë këto ndryshime në vetëm 12 javë. Kjo tregon një premtim të madh për përmirësimin e shëndetit të trurit dhe kujtesës në popullatën tonë të moshuar,” tha Mary Ni Lochlainn, një studiuese e mjekësisë geriatrike pranë Kolegjit Mbretëror në Londër.

“Zbulimi i sekreteve të boshtit zorrë-tru mund të ofrojë qasje të reja për të jetuar jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme”, shtoi ajo.

Këto rezultate janë veçanërisht të rëndësishme pasi popullatat në mbarë botën po plaken. Autorët theksojnë në punim se pasojë e kësaj tendence është rritja e prevalencës së kushteve të ndryshme që lidhen me plakjen dhe rritja e kohës që njerëzit kalojnë në jetën e tyre me sëmundje të lidhura me plakjen, e cila përfshin humbjen e masës muskulore dhe rënien e aftësisë njohëse.

“Përhapja e demencës po rritet globalisht, por ndërsa popullsia plaket, njohja e ndryshimeve njohëse që mund të ndodhin si pjesë e plakjes së shëndetshme do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për studiuesit dhe mjekët që punojnë me të moshuarit”, shkruajnë autorët.

Disa kërkime të mëparshme mbi brejtësit treguan se suplementet e pasura me fibra mund të ndihmojnë të ashtuquajturat bakteret e mira të lulëzojnë në mikrobiomën e zorrës së trashë. Disa nga këto baktere kanë qenë të lidhura me përmirësimin e funksionit njohës te minjtë dhe njerëzit.

Ndër çrregullimet më të famshme që rrjedhin nga ky ndërveprim është i ashtuquajturi sindromi i zorrës së irrituar (IBS), i cili mendohet se shoqërohet me mikrobiomë të trazuar të zorrëve në rreth 60% të rasteve, shpesh për shkak të një infeksioni të zorrëve të shkaktuar nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara.

Çrregullimet e mikrobiomës së zorrëve shoqërohen me gjendje dhe sëmundje të shumta dhe mjekësia po ndërhyn gjithnjë e më shumë me sukses në këtë fushë.