Ish-ylli i Anglisë, Raheem Sterling, është arrestuar nën dyshimin për vozitje nën ndikimin e drogës pasi përplasi “Lamborghinin” e tij.
Policia e ndaloi 31-vjeçarin në autostradën M3 në Hampshire rreth orës 09:00 të mëngjesit të së enjtes.
Sterling, i cili aktualisht luan për Feyenoordin, u lirua me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë.
Ish-lojtari i Anglisë, Liverpoolit dhe Manchester Cityt raportohet se u arrestua pasi “Lamborghini” i tij u përplas me barrierat anësore të autostradës.
Ai po udhëtonte në drejtim jugor në M3 kur ndodhi aksidenti. Policia e ndaloi në Hampshire dhe e arrestoi në vendngjarje.
Sterling, i cili u largua nga Chelsea në janar para se të transferohej te Feyenoordi si lojtar i lirë, thuhet se ka kaluar një periudhë të vështirë kohët e fundit.
Ai dyshohet për: drejtim të automjetit në gjendje të papërshtatshme për shkak të drogës, vozitje të rrezikshme, posedim të një droge të klasës C, dhe refuzim për të dhënë mostër për testim.
Droga të klasës C përfshijnë qetësues si Valium, steroidë, gazin për të qeshur dhe GHB.
Policia e Hampshire deklaroi: “Pak para orës 09:00 të së enjtes morëm raportime se një Lamborghini ishte përplasur me barrierat në M3 në drejtim jugor, afër Minley Interchange. Asnjë automjet tjetër nuk ishte i përfshirë dhe nuk pati të lënduar. Shoferi, një burrë 31-vjeçar nga Berkshire, është arrestuar nën dyshimin për drejtim automjeti në gjendje të papërshtatshme për shkak të drogës, vozitje të rrezikshme, posedim të drogës së klasës C dhe refuzim për të dhënë mostër. Ai është liruar me kusht ndërsa hetimet vazhdojnë”.
Sterling ishte vetëm 15 vjeç kur u transferua nga akademia e Queens Park Rangers te Liverpooli në vitin 2010.
Ai u bë një nga lojtarët më të dashur në “Anfield”, përpara se të transferohej te Manchester City në vitin 2015 pas një mosmarrëveshjeje kontraktuale.
Te City ai fitoi katër tituj të Premierligës, pesë Kupa të Ligës dhe një FA Cup.
Më pas pati periudha më pak të suksesshme te Chelsea dhe Arsenali, ndërsa në shkurt u transferua te Feyenoordi.
Sterling ka zhvilluar gjithashtu 82 ndeshje me Anglinë dhe ka shënuar 20 gola.
Ai është i fejuar me Paige Milian, me të cilën ka dy fëmijë.
Një burim pranë lojtarit tha: “Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të Anglisë në dekadën e fundit, por vitet e fundit është ndjerë i pavlerësuar dhe i harruar. Barra psikologjike që kjo i ka shkaktuar është e paimagjinueshme”./GazetaExpress/
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...