Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka folur për mediat përpara finales së Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germainit, që zhvillohet të shtunën në “Puskas Arena” në Budapest.
Këto ishin deklaratat kryesore nga konferenca e tij për shtyp:
Arteta konfirmoi se si Jurrien Timber ashtu edhe Noni Madueke janë të gatshëm për të nisur finalen nga minuta e parë, ndërsa mungesa e vetme e konfirmuar është Ben White.
Për mundësinë që pas fitimit të Premierligës për herë të parë pas 22 vitesh të fitojnë edhe Ligën e Kampionëve të parë në histori të klubit, Arteta tha:
“Shumë mirë, përgatitjet kanë qenë shumë të mira, shumë të fokusuara dhe shumë pozitive. Jemi këtu sepse e kemi fituar të drejtën për të qenë këtu. Me mënyrën se si kemi luajtur dhe performuar në këtë kompeticion, nesër në atë fushë do të duhet ta fitojmë të drejtën për ta ngritur trofeun”.
I pyetur nëse do t’i përdorë humbjet e mëparshme ndaj PSG-së si motivim, ai u përgjigj:
“Sigurisht që përdorim shembuj dhe gjëra që kemi mësuar nga ato ndeshje dhe ka shumë për të marrë prej tyre. Por është e vërtetë që ne kemi evoluar në një mënyrë tjetër dhe edhe ata kanë evoluar ndryshe. Situata e tyre është gjithashtu ndryshe. Kemi nxjerrë mësime dhe gjëra që duhet t’i bëjmë më mirë dhe jam i sigurt se kjo do të ndodhë nesër”.
Për faktin nëse fitimi i Premierligës ka ulur presionin para finales së Championsit, ai tha se nuk ka ndodhur diçka e tillë.
“Jo, ambicia është edhe më e madhe. Kemi fituar një trofe dhe tani duam të dytin. Kjo është gjithçka për të cilën kemi folur. Duhet të krijosh një platformë për të arritur objektiva edhe më të mëdha”, shtoi Arteta.
Kur u pyet nëse Arsenali është “underdog”, Arteta tha: “Ata po mbrojnë trofeun dhe janë kampionët, ndërsa ne jemi këtu për t’ua marrë atë”.
Arteta kishte fjalë të mëdha edhe për trajnerin e PSG-së, Luis Enrique, me të cilin kishte luajtur te Barcelona në rininë e tij.
“Ai ishte një lojtar shumë special dhe më pas u bë trajneri im. Nëse shikon rrugëtimin e tij dhe atë që ka bërë, ai ka qenë frymëzim. Gjithmonë ka qenë referencë që nga koha si lojtar, sepse ishte shumë i veçantë. Pastaj, si trajner, mënyra si u largua nga Spanja, shkoi jashtë dhe u rikthye, si dhe ajo që ka bërë me këtë PSG, tregon qartë gjurmët e tij”, u shpreh trajneri spanjoll.
Për faktin se kjo është finalja e parë e Championsit për Arsenalin pas 20 vitesh dhe rëndësinë e shfrytëzimit të kësaj mundësie, Arteta tha se ky mund të jetë momenti i tij dhe i skuadrës.
“Mendoj se kjo është mundësia për ta bërë momentin tonin, sepse siç thatë edhe ju, është vetëm hera e dytë në historinë tonë që jemi këtu dhe nesër kemi mundësinë të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e këtij klubi. Për ta bërë këtë, duhet të luajmë me qartësi, me shumë guxim dhe me një dëshirë të pamëshirshme për të fituar. Nëse i kemi këto tri elemente, jam i sigurt se do të jemi afër fitores”, bëri me dije ai.
Për vështirësinë në zgjedhjen e formacionit: “Sepse shikoj përreth dhe e shoh gëzimin dhe dëshirën që të gjithë kanë për të luajtur këtë ndeshje. Të gjithë duan të jenë pjesë e saj”.
Dhe në fund, për atë çfarë do të thoshte fitimi i Ligës së Kampionëve:
“Do të ishte diçka krejtësisht e re për të gjithë ne. E dimë sa e vështirë është në një klub si Arsenali të shkruash histori të re, por ky është synimi ynë dhe arsyeja pse jemi të gjithë kaq të emocionuar për ta bërë realitet”, e mbylli Arteta./GazetaExpress/
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...