Raporte të shumta në Itali thonë se Roma po synon të sigurojë një marrëveshje për sulmuesin e Olympique de Marseille, Mason Greenwood, në një transferim që mund të sjellë përfitime edhe për klubin francez dhe për ish-klubin e lojtarit, Manchester United.
Sipas raportimeve nga “La Gazzetta dello Sport” dhe media të tjera italiane, Greenwoodi është objektivi “numër një” i Romës për të përforcuar sulmin e trajnerit Gian Piero Gasperinit këtë verë.
Thuhet se klubi italian ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me babanë e lojtarit, ndërsa përmendet edhe ndikimi pozitiv i përvojës së Donyell Malenit që prej transferimit të tij në “Stadio Olimpico” në janar.
Olympique de Marseille pritet të kërkojë një shumë prej rreth 50–60 milionë euro për 24-vjeçarin, të cilin e bleu nga Manchester Unitedi për rreth 26 milionë euro plus një klauzolë të madhe për përqindje nga shitja e ardhshme.
Sipas “Manchester Evening News”, Manchester Unitedi ka të drejtë të marrë deri në 50% të shitjes së ardhshme të Greenwoodit, që do të thotë se nëse Marseille e shet për 50–60 milionë euro, klubi anglez do të përfitonte rreth 25–30 milionë euro.
Ndërkohë, Marseille mund të detyrohet ta shesë lojtarin për arsye financiare, pasi duhet të balancojë llogaritë para 30 qershorit për të përmbushur rregullat financiare në Francë./GazetaExpress/
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...