SPAK firmos 4 urdhër arreste për korrupsion në OSHEE me tenderin e konsulencës për reforma - Gazeta Express
string(90) "spak-firmos-4-urdher-arreste-per-korrupsion-ne-oshee-me-tenderin-e-konsulences-per-reforma"

Gazeta Express

20/10/2020 19:56

SPAK firmos 4 urdhër arreste për korrupsion në OSHEE me tenderin e konsulencës për reforma

Gazeta Express

20/10/2020 19:56

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën se kishte lëshuar 4 urdhra arresti ndaj zyrtarëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, të cilët akuzohen se kanë favorizuar një kompani italiane në një tender konsulence të zhvilluar në vitin 2016 me vlerë 138. 5 milionë lekë [ gati 1.1 milion euro].

Sipas njoftimit për shtyp të SPAK, drejtoresha e Divizionit Tregtar, Albana Ferraj, njëherazi shefe e kabinetit të administratorit të OSHEE, Ardian Çela akuzohet se ka përfituar 131 mijë e 880 euro, me qëllim favorizimin e kompanisë italiane “Com Metodi” S.p.a në procedurën e prokurorimit.

Lexo Edhe:

Përveç Ferrajt, gjykata ka vendosur masat e “arrestit me burg” edhe për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Elis Bushati, Athinta Papa dhe Irma Dërguti. Ata akuzohen gjithashtu për favorizim të padrejtë të shoqërisë italiane, në shkelje të ligjit të prokurimit publik.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e kontraktoi kompaninë italiane, “Com Metodi” S.p.a për konsulencë në procesin e reformimit dhe ndarjes së aktivitetit të shpërndarjes së energjisë elektrike nga ai i furnizimit, i përcaktuar në ligjin e vitit 2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”.

Si pjesë e të njëjtës kontratë, kompania italiane ofroi gjithashtu konsulencë për përmirësimin e cilësisë shërbimit të klientit të OSHEE.

Hetimet e SPAK-ut ngrenë pikëpyetje mbi këto procedura si dhe akuza për korrupsion në përzgjedhjen e kompanisë italiane të konsulencës. Sipas SPAK, drejtoresha e Divizionit Tregtar, Albana Ferraj ka përfituar 131 mijë euro nga kompania italiane përmes krijimit të një marrëdhënieje fiktive, duke përdorur edhe një kompani tjetër me seli në Shqipëri.

“Ferraj e ka fshehur origjinën e shumës monetare që ka përfituar, edhe pse e dinte që ky veprim përbente vepër penale,” thuhet në kërkesën e SPAK, që e akuzon atë edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj të katër personave të dyshuar.

Shefja e kabinetit të OSHEE akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, ndërsa tre zyrtarët e tjerë akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo në ankande publike”.

SPAK njofton se janë duke u kryer ende hetime për këtë aferë të dyshuar korruptive./reporter.al